Irani shpall dy ditë pushim shkaku i vapës, temperatura shkon në mbi 51 gradë
Autoritetet iraniane kanë njoftuar se e mërkura dhe e enjtja këtë javë do të jenë ditë pushimi për shkak të “vapës së pashembullt” dhe u kanë bërë thirrje të moshuarve dhe personave me probleme shëndetësore që të qëndrojnë brenda, raportojnë mediat shtetërore.
Shumë qytete në pjesën jugore të Iranit janë ballafaquar me vapë të jashtëzakonshme për disa ditë. Mediat shtetërore raportuan se temperaturat këtë javë kishin shkuar në mbi 51 gradë Celsius në qytetin Ahvaz.
Zëdhënësi qeveritar, Ali Bahadori-Jahromi, citohet të ketë thënë se e mërkura dhe e enjtja do të jenë ditë pushimi, ndërsa Ministria e Shëndetësisë tha se spitalet do të jenë në gjendje të lartë gatishmërie.
Të mërkurën, temperatura maksimale në kryeqytetin iranian, Teheran, pritet të shkojë në 39 gradë Celsius.
Vapa ka përfshirë pjesë të mëdha të planetit tonë në javët e fundit, përfshirë Kinën, Shtetet e Bashkuara, Kanadanë e Evropën Jugore.
Shkencëtarët e kanë ndërlidhur vapën me ndryshimet klimatike të nxitura nga njeriu.
