Irani pritet ta refuzojë propozimin e ShBA-së për marrëveshje bërthamore, thotë diplomati iranian - NACIONALE

Irani pritet ta refuzojë propozimin e ShBA-së për marrëveshje bërthamore, thotë diplomati iranian

1 vit më parë

nga NACIONALE

Irani pritet të kundërshtoj një propozim të Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë fund një mosmarrëveshjeje bërthamore të gjatë me dekada, tha të hënën një diplomat iranian, duke thënë se plani i Uashingtonit nuk i adreson interesat e Teheranit dhe e lë të pandryshuar qëndrimin e ShBA-së rreth pasurimit të uraniumit nga Irani.

“Irani është duke draftuar një përgjigje negative ndaj propozimit të ShBA-së, e cila do të mund të interpretohej si refuzim i ofertës së ShBA-së” – i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” diplomati i lartë, i cili është i afërt me ekipin negociues të Iranit.

Propozimi amerikan për një marrëveshje bërthamore iu dorëzua Iranit të shtunën nga ministri i Jashtëm i Iranit, Sayyid Badr Albusaidi, i cili ishte për një vizitë të shkurtër në Teheran dhe ka qenë duke i ndërmjetësuar bisedimet mes Teheranit dhe Uashingtonit.

Megjithatë, pas pesë rundesh të bisedimeve mes ministrit të Jashtëm të Iranit, Abbas Araqchi, dhe emisarit të presidentit Donald Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, për zgjidhjen e mosmarrëveshjes bërthamore, shumë çështje mbeten të pazgjidhura.

Në mesin e vijave të kuqe që po i përplasin palët është një kërkesë e Shteteve të Bashkuara që Teherani të zotohet për të hequr dorë nga pasurimi i uraniumit, gjë që po shihet si rrugë e mundshme drejt prodhimit të armëve bërthamore.

Teherani thotë se dëshiron që ta zhvillojë teknologjinë bërthamore për qëllime paqësore dhe për një kohë të gjatë i ka mohuar akuzat nga fuqitë perëndimore se po synon të prodhojë armë bërthamore.

“Në këtë propozim, qëndrimi i ShBA-së ndaj pasurimit (të uraniumit) në tokën iraniane mbetet i pandryshuar dhe nuk ka shpjegim të qartë në lidhje me heqjen e sanksioneve” – tha diplomati, i cili refuzoi të identifikohej për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.

Teherani e kërkon heqjen e menjëhershme të të gjitha kufizimeve të vendosura nga ShBA-ja që ia dëmtojnë ekonominë e mbështetur në shitjen e karburanteve. Megjithatë, Uashingtoni mendon se heqja e sanksioneve që lidhen me çështjen bërthamore duhet të bëhet në faza./Nacionale

Lajme të ngjashme