Irani pretendon se e ka sulmuar “qendrën e spiunazhit” të Izraelit në Irak
Rojat Revolucionare të Iranit thanë se e kishin sulmuar “selinë qendrore të spiunazhit” të Izraelit në rajonin gjysmë-autonom të Kurdistanit në Irak, raportuan mediat shtetërore të hënën vonë, ndërsa këto forca pretenduan se kishin kryer sulme edhe në Siri kundër ISIS-it.
Këto sulme vijnë në kohën e shqetësimit për eskalimin e një konflikti që është përhapur në Lindje të Mesme që nga fillimi i luftës mes Izraelit e Hamasit më 7 tetor të vitit të kaluar. Grupet aleate të Iranit janë përfshirë në përleshje edhe nga Libani, Siria, Iraku e Jemeni, raporton agjencia “Reuters”.
“Si kundërpërgjigje ndaj mizorive të fundit të regjimit zionist, që e shkaktuan vrasjen e komandantëve të Rojave dhe të Boshtit të Rezistencës... njëra nga selitë qendrore kryesore të Mossad-it në rajonin e Kurdistanit të Irakut u shkatërrua me raketa balistike”- thuhet në një deklaratë të Rojave Revolucionare të Iranit.
Agjencia “Reuters” nuk ka mundur ta vërtetojë raportimin në mënyrë të pavarur. Zyrtarë qeveritarë izraelitë nuk qenë të qasshëm për ndonjë koment të menjëhershëm.
Iraku të martën e dënoi atë që e quajti “agresion” të Iranit në Erbil që shkaktoi viktima civile në zona banimi, sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme.
Në këtë deklaratë thuhet se qeveria irakiane do t’i ndërmarrë të gjitha masat ligjore kundër këtyre veprimeve që konsiderohen shkelje e sovranitetit të Irakut dhe e sigurisë së popullit të tij, përfshirë dorëzimin e një ankese në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Irani ishte zotuar për hakmarrje pas vrasjes së tre anëtarëve të Rojave Revolucionare në Siri muajin e kaluar, përfshirë një komandant të lartë të tyre, të cilët kishin shërbyer si këshilltarë ushtarakë atje.
“Ne e sigurojmë kombin tonë se operacionet e ofensivës së Rojave do të vazhdojnë deri në shpagimin e pikave të fundit të gjakut të martirëve”- thuhet në deklaratën e forcës elite iraniane.