Irani kërcënon me përgjigje të dhimbshme, nëse ShBA-ja i rinis sulmet
Irani tha të enjten se do të përgjigjet me “sulme të gjata dhe të dhimbshme” ndaj pozicioneve amerikane, nëse Uashingtoni i rinis sulmet ndaj këtij shteti.
Dy muaj pas fillimit të luftës së ShBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, Ngushtica e Hormuzit mbetet e mbyllur, duke bllokuar 20 për qind të dërgesave globale të naftës dhe gazit. Kjo situatë ka shkaktuar shtrenjtim të karburanteve dhe shqetësime për rreziqet e një rënieje ekonomike, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Një zyrtar i lartë i Rojës Revolucionare të Iranit tha se çfarëdo sulmi i forcave amerikane ndaj vendit të tij, edhe nëse është i kufizuar, do të nxitë “sulme të gjata dhe të dhimbshme” ndaj pozicioneve amerikane në rajon.
“Ne kem parë se çfarë u ndodhi bazave tuaja rajonale, do ta shohim gjënë e njëjtë duke u ndodhur luftanijeve tuaja” – citohet nga mediat iraniane të ketë thënë komandanti i Forcës Aerohapësinore, Majid Mousavi.
Lideri suprem, Mojtaba Khamenei, u tha iranianëve në një porosi me shkrim se Teherani do t’i eliminojë “abuzimet e rrugës ujore nga armiqtë” me menaxhimin e ri të ngushticës, duke lënë të kuptohej se Irani synon që ta mbajë nën kontroll atë zonë.
“Të huajt që vijnë nga mijëra kilometra larg... nuk kanë vend aty përpos në fundin e ujërave të saj” – thuhet më tej në porosinë e Khameneit.
Edhe kryetari i Kuvendit dhe ministri i Jashtëm aluduan në kontrollin iranian të Ngushticës së Hormuzit.
Çmimet e karburanteve në bursën “Brent” janë dyfishuar që nga fillimi i luftës më 28 shkurt, duke nxitur inflacion dhe shtrenjtim të karburanteve në nivele të dhimbshme në mbarë botën./Nacionale