Irani kërcënon me mbylljen e Detit Mesdhe shkaku i Gazës
Një komandant i Rojave Revolucionare të Iranit tha se Deti Mesdhe mund të mbyllet, nëse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre vazhdojnë që të kryejnë “krime” në Gaza, raportuan të shtunën mediat iraniane, pa shpejguar se si do të bëhej ky veprim.
“Ata do ta presin së shpejti mbylljen e Detit Mesdhe, [Ngushticës së] Gjibraltarit dhe rrugëve të tjera ujore”- citoi agjencia “Tasnim” të ketë thënë Gjeneral Brigade Reza Naqdi, komandant bashkërendues i Rojave Revolucionare, përcjell agjencia “Reuters”.
Irani nuk ka dalje të drejtpërdrejtë në Detin Mesdhe dhe nuk qe e qartë se si forcat e këtij shteti do të përpiqeshin që ta mbyllnin qarkullimin atje, edhe pse Naqdi foli për “lindjen e fuqive të reja të rezistencës dhe mbylljen e rrugëve të tjera ujore”.
“Dje, Gjiri Persik dhe Ngushtica e Hormuzit u bënë ankth për ta dhe sot ata janë ngujuar... në Detin e Kuq”- citohet të ketë thënë më tej komandanti iranian.
Grupet e vetme që përkrahen nga Irani afër Mesdheut janë Hezbollahu në Liban dhe disa grupe militantësh në Siri.
Shtëpia e Bardhë tha të premten se Irani është “thellë i përfshirë” në planifikimin e sulmeve kundër anijeve tregtare në Detin e Kuq.
Rebelët Houthi të Jemenit, të cilët janë të lidhur me Iranin, gjatë muajve të fundit kanë sulmuar anije tregtare që po lundronin nëpër Detin e Kuq si hakmarrje ndaj sulmit të Izraelit në Gaza, duke detyruar disa kompani që t’i ndryshojnë vijat e lundrimit.
Irani e mbështet Hamasin kundër Izraelit dhe i akuzon Shtetet e Bashkuara për përkrahje të atyre që i quan krime izraelite në Gaza, ku bombardimet kanë lënë mijëra të vrarë.