Irani i paralajmëron Izraelin e ShBA-në kundër sulmeve ndaj qendrave bërthamore
Shtetet e Bashkuara do të bartin përgjegjësi ligjore në rast të një sulmi izraelit ndaj qendrave bërthamore iraniane, tha të enjten ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, pas një raporti të televizionit CC se Izraeli mund të jetë duke u përgatitur për sulme ndaj shtetit armik.
Irani dhe Shtetet e Bashkuara, aleatet më të ngushta të Izraelit, të premten do ta zhvillojnë rundin e pestë të bisedimeve në Romë në kohën e mosmarrëveshjeve të thella për pasurimin e uraniumit nga Teherani, për të cilin Uashingtoni thotë se mund të çojë në zhvillimin e bombave bërthamore. Irani mohon se ka synime të tilla, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Irani paralajmëron fuqishëm kundër çfarëdo aventurizmi nga regjimi zionist i Izraelit dhe në mënyrë të vendosur do të kundërpërgjigjet ndaj cilitdo kërcënim ose akti të paligjshëm nga ky regjim” – tha kryediplomati iranian në një letër drejtuar sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.
Araqchi tha se Irani do ta shohë Uashingtonin si “pjesëmarrës” në çfarëdo sulmi dhe se vendi i tij do të ishte i detyruar që të vendoste “masa të posaçme” për t’i mbrojtur qendrat e veta bërthamore, nëse kërcënimet do të vazhdonin, dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore do të njoftohej për hapat e tillë.
Edhe pse ministri iranian nuk saktësoi se çfarë masash ishin duke u shqyrtuar, një këshilltar i liderit suprem të Iranit tha muajin e kaluar se Teherani do të mund ta pezullonte bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore ose do të mund ta vendoste materialin e pasuruar në vende të sigurta dhe të fshehta.
Në një deklaratë tjetër të lëshuar të enjten, Rojat Revolucionare të Iranit, njësi elite e ushtrisë iraniane, paralajmëruan se Izraeli do të merrte një “kundërpërgjigje shkatërruese dhe vendimtare”, nëse ky vend e sulmon Iranin.
Të martën, lideri suprem, Ayatollah Ali Khamenei, tha se kërkesat e ShBA-së që Teherani ta ndërpresë pasurimin e uraniumit janë “të tepërta dhe mizore” dhe shprehu dyshime për atë nëse bisedimet për një marrëveshje të re bërthamore do të shënonin sukses./Nacionale