Irani godet me raketë balistike një ndërtesë në Izrael: Nxirren katër trupa nga rrënojat - NACIONALE

Irani godet me raketë balistike një ndërtesë në Izrael: Nxirren katër trupa nga rrënojat

1 javë më parë

nga NACIONALE

Trupat e katër njerëzve u nxorën nga rrënojat në vendin ku kishte rënë një raketë balistike iraniane në Haifa të Izraelit, thanë të hënën shërbimet e shpëtimit. Katër njerëz u lënduan nga një valë e re sulmesh në zonën e njëjtë, me ç’rast u shkaktuan edhe dëme të reja materiale.

Katër personat që u nxorën të hënën u identifikuan si Vladimir Gershovitz, bashkëshortja e tij, Lena Ostrovsky Gershovitz, biri i tyre, Dimitri, dhe gruaja e tij, Lucille Jane, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

Shërbimi i Zjarrit dhe Shpëtimit tha të hënën herët se pas disa orësh përpjekje bashkë me shërbime të tjera, forcat “nxorën dy individë të ngujuar, të gjetur nën rrënoja pa shenja jete”. Bëhej fjalë për çiftin e moshuar, 73 dhe 68 vjeç.

Pak orë më vonë, u njoftua se edhe një trup tjetër, ai i birit të tyre, ishte gjetur nën rrënojat e ndërtesës. Pak më vonë, shërbimet njoftuan se e kishin gjetur edhe trupin e një gruaje. Trupi i fundit u gjet rreth 18 orë pas rënies së raketës.

Fillimisht, katër njerëz ishin raportuar të zhdukur pas sulmit, sipas njoftimit të ekipeve emergjente të dielën vonë, të cilat shtuan se ndërtesa ishte në rrezik “serioz” për t’u shembur.

Nga sulmi u plagos seriozisht një 82-vjeçar. Lëndime mesatare pësoi një grua 78-vjeçare, ndërsa një grua 38-vjeçare dhe një foshnjë 10-muajshe pësuan lëndime të lehta, sipas zyrtarëve mjekësorë.

Sipas hetimeve nga ushtria e policia, koka me lëndë shpërthyese e raketës balistike nuk kishte shpërthyer pas rënies së raketës. Megjithatë, energjia kinetike nga raketa e shkaktoi shembjen e disa kateve të ndërtesës së banimit.

Shërbimet e shpëtimit thanë se, sikur koka me lëndë shpërthyese të kishte shpërthyer, me gjasë e tërë ndërtesa do të ishte shkatërruar dhe shtëpitë përreth saj do të ishin dëmtuar.

Sipas një hetimi të Forcës Ajrore të Izraelit, raketa nuk u pengua nga mbrojtja ajrore, sepse ajo ishte ndarë në pjesë në ajër. Raketa nuk u vu në shënjestër, sepse predha u nda prej saj dhe trajektorja ndryshoi, sipas rezultateve të hetimit./Nacionale

Lajme të ngjashme