Irani ekzekuton një protestues me problem mendor - NACIONALE

Irani ekzekuton një protestues me problem mendor

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një protestues me një problem mendor është ekzekutuar në Iran për vdekjen e një oficeri lokal gjatë protestave masive që e kishin përfshirë vendin më 2022, raportoi të martën agjencia e lajmeve e sistemit iranian të drejtësisë.

“Dënimi me vdekje i Mohammad Ghobadlou-t për krimin e vrasjes së qëllimshme të Farid Karampour Hassanvand-it u ekzekutua këtë mëngjes pas 487 ditëve të shqyrtimit juridik të rastit” – tha agjencia “Mizan”, përcjell televizioni CNN.

Autoritetet iraniane pretendojnë se Ghobadloi e kishte shkelur me veturë oficerin gjatë një proteste në Robat Karim të provincës së Teheranit në shtator të vitit 2022, sipas organizatës për të drejta të njeriut, “Amnesty International”.

Ai ishe dënuar me vdekje nga gjykatësi Abolqasem Salavati – ndaj të cilit janë vendosur sanksione nga Shtetet e Bashkuara për dënimet e ashpra famëkëqija që i ka shqiptuar ndaj aktivistëve, gazetarëve e të burgosurve politikë.

Avokati i të dënuarit, Amir Raesian, tha se nuk ishte njoftuar për një vendim rreth klientit të tij dhe bëri thirrje që agjencia “Mizan” të lëshojë më shumë informata për ekzekutimin.

“Nëse agjencia e lajmeve “Mizan” po e thotë të vërtetën, ajo duhet t’i njoftojë numrin dhe datën e lëshimit të këtij vendimi”- shkroi avokati në rrjetin X.

Organizata “Amnesty International” i ka kritikuar dënimet me vdekje pas atyre që i ka cilësuar si “gjykime të padrejta, të përcjella me “rrëfime” nën torturim e dështim të vlerësimit të rreptë të shëndetit mendor pavarësisht nga paaftësia mendore”.

Ghobadlou kishte qenë nën vëzhgimin e një spitali psikiatrik për çrregullimin e bipolaritetit që nga mosha 15-vjeçare, sipas kësaj organizate. Sipas grupeve për të drejta të njeriut, e drejta ndërkombëtare dhe standardet e ndalojnë zbatimin e dënimit me vdekje ndaj personave me paaftësi mendore.

Lajme të ngjashme