Irani ekzekuton një inxhinier 29-vjeçar nën akuzat për spiunazh për CIA-n dhe Mossad-in
Irani të hënën e ekzekutoi inxhinierin 29-vjeçar të aerohapësirës, Erfan Shakourzadeh, nën akuzën për spiunazh, pavarësisht pretendimeve të tij për torturim dhe dhënie të rrëfimit nën detyrim, sipas shënimeve të tij nga burgu.
Ekzekutimi i të riut u bë disa ditë pasi organizatat për të drejtat e njeriut kishin paralajmëruar për një gjë të tillë dhe kishin publikuar një letër që ai e kishte shkruar nga burgu, në të cilën thoshte se rrëfimi i tij është nxjerrë nën torturim, raporton “Euronews”.
Erfan Shakourzadeh, i lindur në vitin 1996, kishte studiuar inxhinierinë elektrike në Universitetin e Tabrizit para se të diplomonte në programin master për Inxhinieri të Aerohapësirës dhe Teknologji Satelitore në Universitetin e Iranit për Shkencë dhe Teknologji.
Ai ishte vlerësuar si njëri nga talentët më të dalluar të rinj në fushën e aerohapësirës dhe ishte duke punuar në një organizatë shkencore që është e specializuar për satelitë, kur inteligjenca e Rojës Revolucionare e kishte arrestuar në shkurt të vitit 2025.
Agjencia e lajmeve “Mizan”, e cila ka lidhje me sistemin gjyqësor iranian, e përshkroi të riun si “spiun të përbashkët të CIA-s dhe Mossad-it”, duke thënë se ai ishte rekrutuar “si projekt dhe për shkak të ekspertizës së tij”.
Sistemi gjyqësor tha se ai ishte përpjekur që të kontaktonte me Mossad-in dhe CIA-n “në tri faza” dhe u kishe dhënë informata të klasifikuara shërbimeve të huaja të inteligjencës.
Para ekzekutimit nuk u bë publike ndonjë hollësi e dëshmive kundër të akuzuarit apo procedurat ligjore të rastit./Nacionale