Irani e sulmon Izraelin para armëpushimit, katër të vrarë e 22 të lënduar
Katër persona u vranë dhe 22 të tjerë u lënduan nga një valë e re e sulmeve iraniane në jug të Izraelit, sipas shërbimit ambulantor.
Këto sulme u kryen disa orë para se të hynte në fuqi marrëveshja e armëpushimit mes Izraelit e Iranit, e njoftuar nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Shërbimi emergjent izraelit, “Magen David Adom”, skenën e sulmit e përshkroi: “Pamë tym të dendur duke u ngritur nga vendi i prekur dhe, me t’u afruar, pamë shkatërrim të gjerë ndaj disa ndërtesave.”
Ndërkohë, ushtria izraelite tha para pak orëve se Irani kishte hedhur disa raketa drejt Izraelit dhe se sistemet e mbrojtjes ishin duke vepruar për t’i penguar ato, raporton televizioni BBC.
Ushtria këshilloi se civilët duhej të futeshin në hapësira të mbrojtura dhe të qëndronin aty deri në një njoftim të ri.
Njerëzit në Izrael u zgjuan të martën në mëngjes nga paralajmërimet për raketa në telefonat e tyre, duke u këshilluar që të shkonin në strehimore.
Reporterja e BBC-së në Jerusalem, Alice Cuddy, tha se në këtë qytet mund të dëgjoheshin shpërthime dhe se kolegët e saj kishin raportuar shpërthime në vende të tjera. Një goditje e drejtpërdrejtë ndodhi në Beersheba.