Irani e paraqet në paradë ushtarake dronin “me rrezen më të gjatë në botë” - NACIONALE

Irani e paraqet në paradë ushtarake dronin “me rrezen më të gjatë në botë”

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Irani të premten mbajti paradë ushtarake me rastin e përvjetorit të luftës me Irakun, përfshirë atë që mediat shtetërore e përshkruan si “droni me rrezen më të gjatë të veprimit në botë” si dhe disa raketa balistike e hipersonike.

Mediat shtetërore raportuan se ky dron është zbuluar në paradën e transmetuar drejtpërdrejt në televizion dhe se dronët e paraqitur në këtë ngjarje quhen “Mohajer”, “Shahed” dhe “Arash”, raporton agjencia “Reuters”.

Irani tha muajin e kaluar se kishte zhvilluar një dron të avancuar, të quajtur “Mohajer-10”, me rreze dhe kohë veprimi të përforcuar si dhe me kapacitet më të madh për ngarkesë.

Mediat shtetërore atë kohë raportuan se ky dron kishte rreze veprimi prej dy mijë kilometrash dhe mund të fluturojë deri në 24 orë, duke shtuar se pajisja mund të bartë 300 kilogramë ngarkesë, dyfish më shumë se ajo e dronit “Mohajer-6”.

Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar Iranin për furnizimin e Rusisë me dronë të tipit “Mohajer-6” për luftën e saj kundër Ukrainës. Të martën, Uashingtoni e zgjati afatin e sanksioneve të ndërlidhur me Iranin. Në anën tjetër, Teherani ka mohuar se i jep Rusisë dronë për konfliktin në Ukrainë.

“Forcat tona e garantojnë sigurinë në rajon dhe në Gjirin Persik. Ne mund t’i mësojmë njerëzit e rajonit se rezistenca është mjeti i sotëm. Ajo që e detyron armikun që të tërhiqet nuk janë dorëzimi dhe lëkundja, por rezistenca”- tha në paradën e së premtes presidenti iranian, Ebrahim Raisi.

Lufta mes Iranit dhe Irakut kishte shpërthyer më 22 shtator 1980, kur forcat e presidentit të atëhershëm irakian, Saddam Hussein, kishin hyrë në Iran. Konflikti kishte shkaktuar të paktën gjysmë milioni të vdekur e shkatërrim ekonomik, kishte përfunduar në një ngërç në gusht të vitit 1988.

Lajme të ngjashme