Irani e paralajmëron ShBA-në në rast se përfshihet drejtpërdrejt në sulmet izraelite - NACIONALE

Irani e paralajmëron ShBA-në në rast se përfshihet drejtpërdrejt në sulmet izraelite

1 vit më parë

nga NACIONALE

Irani ka thënë se i ka treguar Uashingtonit se do të kundërpërgjigjet në mënyrë të vendosur ndaj Shteteve të Bashkuara, nëse ato përfshihen në mënyrë të drejtpërdrejtë në fushatën ushtarake të Izraelit, tha të mërkurën ambasadori iranian në Kombet e Bashkuara në Gjenevë.

Ali Bahreini, ambasador i Republikës Islamike të Iranit në Kombet e Bashkuara në Gjenevë, u tha gazetarëve se ai e sheh ShBA-në si “bashkëfajtore në atë që Izraeli është duke e bërë”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Izraeli e nisi fushatën ajrore luftarake, më të madhen ndonjëherë ndaj Iranit, të premten pasi tha se kishte arritur në përfundim se Teherani ishte buzë zhvillimit të një arme bërthamore. Irani mohon se ka synim të tillë.

Shtetet e Bashkuara deri më tani kanë ndërmarrë vetëm veprime të tërthorta në konfliktin aktual me Iranin, përfshirë ndihmën për të rrëzuar raketa të hedhura drejt Izraelit. Uashingtoni është duke dislokuar më shumë aeroplanë luftarakë në Lindjen e Mesme dhe është duke e zgjatur afatin e dislokimit të aeroplanëve të tjerë, i thanë agjencisë “Reuters” tre zyrtarë amerikanë.

Ambasadori iranian tha se vendi i tij gjithashtu do të kundërpërgjigjet fuqishëm edhe ndaj sulmeve izraelite.

“Ne nuk do të shfaqim asnjë ngurrim në mbrojtjen e popullit, sigurisë dhe tokës sonë. Ne do të kundërpërgjigjemi seriozisht dhe fuqishëm, pa kufizim” – tha para gazetarëve Bahreini.

Mijëra njerëz po iknin nga Teherani dhe nga qytete të tjera të rëndësishme të mërkurën, raportuan mediat iraniane, përderisa Izraeli e Irani kryen sulme të reja me raketa drejt njëri-tjetrit pavarësisht nga thirrja e presidentit amerikan, Donald Trump, që Teherani të dorëzohet pa kushte.

Ushtria izraelite tha se dy grupe raketash nga Irani u hodhën drejt Izraelit në orët e para të mëngjesit të së mërkurës. Në Tel-Aviv u dëgjuan shpërthime./Nacionale

Lajme të ngjashme