Irani e paralajmëroi Bullgarinë që të mos ia lejojë ShBA-së përdorimin e aeroporteve
Autoritetet iraniane e paralajmëruan Bullgarinë muajin e kaluar që të mos e lejojnë ShBA-në t’ia përdorë aeroportet për aeroplanë që marrin pjesë në operacione ushtarake në Iran, tha të mërkurën Ministria e Jashtme.
Më herët të mërkurën, Stanislav Balabanovi nga partia “Ka Njerëz të Tillë”, paraqiti një shkresë të datës 18 mars, në të cilën qeveria iraniane protestoi kundër aeroplanëve ushtarakë amerikanë për rimbushje në aeroportin “Vasil Levski” të Bullgarisë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në shkresë, Irani tha se “e rezervon të drejtën për t’i marrë të gjitha masat e nevojshme për t’i mbrojtur sovranitetin, sigurinë dhe interesat e veta kombëtare në pajtim me të drejtën ndërkombëtare”.
Më vonë të mërkurën, në një deklaratë për gazetarë, zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Bullgarisë, Marin Raikov, e konfirmoi shkresën nga Irani dhe tha: “Bullgaria nuk është në luftë.”
“Asnjë aeroplan luftarak nuk është duke u mbushur mbi Bullgari për të marrë pjesë në operacione ushtarake. Ne mbajmë marrëdhënie diplomatike të paprekura me palën iraniane” – tha ai.
Në fund të shkurtit, mediat bullgare raportuan se disa aeroplanë ushtarakë amerikanë kishin aterruar në aeroportin civil “Vasil Levski” në Sofje dhe autoritetet kanë thënë se ata ishin pjesë e dislokimit të përparmë të NATO-s, të cilin Raikovi e konfirmoi të mërkurën.
“Kuvendi ynë nuk ka miratuar vendime për të mbështetur veprime përkatëse ushtarake në rajonin e Ngushticës së Hormuzit” – tha ai.
Disa shtete evropiane, të shqetësuara rreth luftës së Iranit, janë distancuar nga operacionet ushtarake amerikane.
Spanja e ka mbyllur hapësirën ajrore të saj për aeroplanët ushtarakë amerikanë dhe ua ka mohuar qasjen në baza, Italia ka refuzuar një ndalje të aeroplanëve amerikanë në bazën “Sigonella”, ndërsa Franca i ka bllokuar fluturimet transit me armë për forcat amerikane e izraelite./Nacionale