Irani e dënon me vdekje për fyerje ndaj Profetit Muhamed këngëtarin e njohur, Tataloo
Një gjykatë iraniane e ka dënuar me vdekje këngëtarin e popullarizuar, Amir Hossein Maghsoudloo, i njohur si Tataloo, pasi ai ishte shpallur fajtor për blasfemi, sipas raportimeve në rrjete sociale.
“Gjykata supreme e pranoi ankesën e prokurorit” për një dënim të mëparshëm prej pesë vjetësh burgim për disa shkelje, përfshirë blasfeminë, raportoi të dielën gazeta reformiste “Etemad”, përcjell gazeta “The Guardian”.
Kjo gazetë tha se “rasti u rihap, dhe kësaj radhe i pandehuri u dënua me vdekje për fyerje ndaj profetit” - duke iu referuar Profetit Muhamed.
Në raport shtohet se vendimi i gjykatës nuk është përfundimtar dhe mund të apelohet përsëri.
Muzikanti 37-vjeçar kishte qenë duke jetuar në Stamboll që nga viti 2018, para se policia turke t’ia dorëzonte atë Iranit në dhjetorin e vitit 2023. Që nga ajo kohë ka qenë duke u mbajtur në ndalim në Iran.
Tataloo gjithashtu ishte dënuar me dhjetë vjet burgim për promovim të “prostitucionit” dhe në raste të tjera ishte ngarkuar me akuza për përhapje të “propagandës” kundër Iranit dhe për publikim të “përmbajtjes së turpshme”./Nacionale