IOM: Së paku 42 emigrantë të zhdukur në det afër Libisë, supozohen të vdekur
Së paku 42 emigrantë janë ende të zhdukur dhe llogariten të vdekur, pasi një barkë gome u përmbyt në det afër Libisë, tha të mërkurën Organizata Ndërkombëtare e Migrimit (IOM).
Autoritetet libiane shpëtuan shtatë njerëz, të cilët kishin qëndruar në det për gjashtë ditë, pasi barka me 49 persona në të ishte përmbytur afër fushës së naftës “Al Buri”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Pas qëndrimit në det për gjashtë dit, vetëm shtatë burra – katër nga Sudani, dy nga Nigeria dhe një nga Kameruni – u shpëtuan. Tragjikisht, 42 individë mbeten të zhdukur dhe supozohen të vdekur, përfshirë 29 nga Sudani, tetë nga Somalia, tre nga Kameruni dhe dy nga Nigeria” – thuhet në njoftimin e IOM-it.
“Ekipi i IOM-it u ofroi të mbijetuarve kujdes mjekësor urgjent, ujë dhe ushqim me të arritur në pikën e zbarkimit në bashkërendim me autoritetet përkatëse” – thuhet më tej.
“Kjo ngjarje tragjike, që vjen vetëm [disa] javë pas incidenteve të tjera vdekjeprurëse afër Surmanit dhe Lampedusas, i nënvizon rreziqet e vazhdueshme me të cilat ballafaqohen emigrantët dhe refugjatët përgjatë rrugës së Mesdheut Qendror” – theksoi Organizata Ndërkombëtare e Migrimit.