Interesimi i Trumpit për blerjen e Grenlandës s’është shaka, thotë kryediplomati Rubio
Interesimi i presidentit amerikan, Donald Trump, për blerjen e Grenlandës nuk është shaka, tha në një intervistë të enjten sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, duke shtuar se marrja nën kontroll e ishullit gjigant është në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara dhe është çështje që duhet të zgjidhet.
Trumpi ka shprehur interesim për bërjen e Grenlandës, territor autonom i Danimarkës, si pjesë të Shteteve të Bashkuara që nga fitorja e tij në zgjedhjet e nëntorit. Ai nuk e ka përjashtuar përdorimin e mjeteve ushtarake ose ekonomike për ta bindur Danimarkën që ta dorëzojë ishullin, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Rubio tha në emisionin “The Megyn Kelly Show” se Trumpi dëshiron që ta blejë Grenlandën dhe nuk e ka përjashtuar shtrëngimin ushtarak për ta siguruar ishullin në mënyrë që të mos e heqë levën nga tavolina.
“Kjo nuk është shaka. Kjo nuk ka të bëjë me blerjen e tokës me qëllim të blerjes së tokës. Kjo është në interesin tonë kombëtar dhe duhet të zgjidhet” – tha kryediplomati amerikan.
Kryeministri i Grenlandës, Mute Egede, i cili e ka shtyrë përpara synimin për pavarësi nga Danimarka, në mënyrë të përsëritur ka thënë se ishulli nuk është në shitje dhe se i përket popullit të Grenlandës që të vendosë për të ardhmen e saj.
Rubio në intervistë tha se Arktiku do të bëhet zonë kritike për vijat e transportit, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara duhet të jenë në gjendje që ta mbrojnë atë dhe duke paralajmëruar se rivalja e ShBA-së, Kina, mund të synojë që ta zhvillojë praninë e saj në rajonin verior të globit.
Kur u pyet nëse Shtetet e Bashkuara do ta kenë në pronësi Grenlandën brenda katër vjetëve, Rubio tha: “Qartazi, ky është prioritet i presidentit dhe ai ka vepruar në atë pikë… Ne nuk jemi ende në një pozitë për të diskutuar saktësisht se si do të vazhdojmë në aspektin taktik. Ajo mbi të cilën mendoj se mund të qëndroni të siguruar është që katër vjet nga tani, interesi ynë në Arktik do të jetë më i sigurt.”/Nacionale