Inteligjenca ukrainase thotë se një njësit raketor koreanoverior e ka nisur dislokimin në Rusi
Një njësit ushtarak raketor i Koresë së Veriut e ka filluar dislokimin në Rusinë Perëndimore dhe mund të jetë i pajisur me 120 raketa balistike e gjashtë raketahedhës për sulme kundër Ukrainës, tha një zyrtar në agjencinë ukrainase për inteligjencë ushtarake.
Ukraina ka mungesë të mbrojtjes ajrore moderne dhe Rusia është munduar që ta shfrytëzojë këtë situatë duke përdorur më shumë raketa balistike, të cilat rrëzohen veçanërisht vështirë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Rusia ka shkrepur shumë raketa balistike koreanoveriore drejt Ukrainës nga fundi i vitit 2023, por dislokimi i forcave raketore koreanoveriore do të ishte zgjerim i bashkëpunimit tashmë të gjerë ushtarak mes Moskës dhe Penjanit.
Andrii Cherniak nga Drejtoria Kryesore e Inteligjencës e Ukrainës tha se Rusia planifikon që ta vendosë njësitin raketor prej rreth 90 pjesëtarësh koreanoveriorë në rajonin perëndimor rus, Voronezh, brenda Brigadës së 112-të Raketore të ushtrisë ruse.
Koreja e Veriut tashmë ka dërguar në Rusi 40 raketa KN-23 dhe KN-24 si dhe personel, por konfigurimi i dislokimit dhe numri i përgjithshëm i raketave do të finalizohen në bisedime të nivelit të lartë muajin e ardhshëm, tha zyrtari ukrainas.
Sipas tij, Rusia pret që dislokimi të përfshijë 120 raketa balistike koreanoveriore dhe gjashtë raketahedhës.
Nuk është e qartë se çfarë roli saktësisht do të luajnë koreanoveriorët në operacionet raketore ruse.