Inteligjenca ukrainase: Rusia planifikon të prodhojë deri në 120 mijë bomba rrëshqitëse këtë vit - NACIONALE

Inteligjenca ukrainase: Rusia planifikon të prodhojë deri në 120 mijë bomba rrëshqitëse këtë vit

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Rusia planifikon që të prodhojë deri në 120.000 bomba rrëshqitëse (fluturuese) këtë vit – armë të lira por shkatërruese – sipas një zyrtari të lartë të inteligjencës ukrainase, përfshirë 500 bomba të tilla të një versioni të ri me rreze të gjatë veprimi, që mund të arrijnë më shumë qyteza e qytete.

Federata Ruse e ka shtuar prodhimin e armëve në mënyrë masive që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës më 2022. Moska nuk zbulon hollësi të prodhimit ushtarak, i cili konsiderohet sekret, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Shifra prej 120.00 bombash rrëshqitëse si cak i Rusisë u dha në një intervistë nga zëvendësdrejtori i Inteligjencës së Mbrojtjes të Ukrainës, Gjeneral Major Vadym Skibitskyi. Agjencia “Reuters” nuk arriti që ta vërtetonte cakun e Rusisë për prodhimin e këtyre bombave për vitin 2025.

Skibitskyi nuk tregoi se si ishte siguruar ky numër e as nuk dha të dhëna të mëhershme, por një shifër e tillë do të tregonte rrite të madhe të prodhimit të bombave rrëshqitëse, të cilat kanë krahë dhe nganjëherë edhe motorë për të fluturuar me dhjetëra kilometra deri te caku i tyre.

Në numrin prej 120 mijë bombash përfshihen municioni i ri si dhe bombat ekzistuese që janë modernizuar për të rrëshqitur. Zyrtari i inteligjencës tha se forcat ruse po hedhin nga 200 deri në 250 bomba rrëshqitëse çdo ditë. Muajin e kaluar, mesatarja ditore ishte rreth 170, sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes.

“Është e mundshme që të rrëzohen, por sasia e atyre bombave ajrore të prodhuara në Federatën Ruse.. është e pamasë. Ky është një kërcënim, një kërcënim që do të kërkojë nga ne të kundërpërgjigjemi në mënyrën e duhur” – tha Skibitskyi.

Bombat rrëshqitëse, të cilat më parë besohej se kishin rreze deri në 90 kilometra, mund të depërtojnë nëpër mbrojtjen ukrainase pa dërguar aeroplanë në vijat e frontit, ku do të rrëzoheshin.

Ato janë shumë më të lira dhe më të bollshme se raketat dhe lënda e tyre shpërthyese prej disa qindra kilogramësh mund depërtojë në ndërtesa e fortifikata. Me to janë goditur qytete të vijës së frontit si Kharkivi e Khersoni, transmeton gazeta "Nacionale".

Skibitskyi tha se Rusia po e nis prodhimin e një bombe të re rrëshqitëse që mund të fluturojë deri në 200 kilometra nga pika e lëshimit nga një aeroplan luftarak dhe se shteti armik planifikon që të prodhojë rreth 500 të tilla deri në fundin e këtij viti.

Lajme të ngjashme