Inteligjenca gjermane e kategorizon si “ekstremiste” partinë AfD të së djathtës ekstreme
Agjencia gjermane për inteligjencë të brendshme të premten e klasifikoi si entitet ekstremist që e kërcënon demokracinë partinë e së djathtës ekstreme, AfD (Alternativa për Gjermaninë), lëvizje që do t’ia mundësojë agjencisë vëzhgimin më të mirë të partisë që doli e dyta në zgjedhjet federale të shkurtit.
Grupe të caktuara të AfD-së, siç është grupi i të rinjve, tashmë janë klasifikuar si ekstremistë, ndërsa partia në përgjithësi ishte klasifikuar si rast i dyshimtë ekstremist më 2021, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Statusi si entitet ekstremist për AfD-në duhet t’ua bëjë më të lehtë autoriteteve që të përdorin metoda sekrete për ta vëzhguar këtë grup politik, për shembull përmes rekrutimit të informatorëve konfidenciale dhe duke ndërhyrë në komunikime.
Stigma dhe kufizimet ndaj punësimit në shërbimin civil gjithashtu mund ta pengojë aftësinë e saj për të tërhequr anëtarë të rinj.
“Koncepti i mbështetur në etni dhe prejardhje i njerëzve, i cili mbizotëron brenda partisë, nuk është në pajtueshmëri me rendin e lirë demokratik” – thuhet në një deklaratë të agjencisë për inteligjencë të brendshme.
“Kjo synon që të përjashtojë grupe të caktuara të popullsisë nga pjesëmarrja e barabartë në shoqëri, t’i bëjë ato subjekte të trajtimit që e shkel kushtetutën dhe, në këtë mënyrë, t’u caktojë atyre ligjërisht një statut të nënshtruar” – thuhet më tej.
Në deklaratë thuhet, gjithashtu, se AfD-ja nuk i cilëson si anëtarë të barabartë të popullit gjerman shtetasit gjermanë me prejardhje imigrantësh nga shtetet me popullsi shumicë myslimane./Nacionale