Inteligjenca amerikane: Putini më i vendosur se kurrë për ta vazhduar luftën e për të triumfuar - NACIONALE

Inteligjenca amerikane: Putini më i vendosur se kurrë për ta vazhduar luftën e për të triumfuar

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Një vlerësim i kryer rishtazi nga inteligjenca amerikane paralajmëron se presidenti rus, Vladimir Putin, është më i vendosur se kurrë më parë që ta vazhdojë luftën në Ukrainë dhe të ngadhënjejë në fushëbetejë, sipas një zyrtari të lartë amerikan dhe një zyrtari të lartë të Kongresit.

Analiza, e cila iu komunikua anëtarëve të Kongresit të ShBA-së këtë muaj, tregon se agjencitë amerikane të inteligjencës nuk shohin shenja se Rusia është e gatshme që të bëjë kompromis për Ukrainën, përderisa presidenti amerikan, Donald Trump, po synon që t’i ndërmjetësojë bisedimet e paqes, raporton “NBC News”.

Ky vlerësim përputhet me atë se si agjencitë amerikane dhe perëndimore të inteligjencës e kanë parë qëndrimin e regjimit rus që nga shkurti i vitit 2022, kur Putini urdhëroi pushtim të paprovokuar të Ukrainës, sipas dy personave të tjerë që kishin njohuri rreth çështjes.

Megjithatë, besohet se presidenti rus tani është më i vendosur se kurrë më parë, sipas zyrtarit të lartë amerikan dhe zyrtarit të lartë të Kongresit.

I ballafaquar me humbje të mëdha të trupave dhe vështirësi ekonomike brenda vendit, Putini është i përkushtuar që të sigurojë territore ukrainase dhe ta zgjerojë zonën e ndikimit për t’i justifikuar pasojat njerëzore dhe financiare, sipas vlerësimit të inteligjencës, thanë zyrtarët.

Si shenjë e shtimit të zemërimit, presidenti amerikan javën e kaluar anuloi një takim të planifikuar me Putinin në Budapest dhe për herë të parë që nga rikthimi në pushtet në janar vendosi masa ndëshkuese kundër Moskës, duke u vënë sanksione dy kompanive të mëdha ruse të naftës.

“Thjesht m’u duk se ishte koha” – tha Trumpi para gazetarëve, duke iu referuar vendosjes së sanksioneve e duke shtuar se kishte “pritur për një kohë të gjatë” që t’i zbatonte ato, por shpreson se “ato nuk do të jenë për shumë gjatë”. “Ne shpresojmë se lufta do të zgjidhet” – deklaroi kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Trumpi për një kohë të gjatë është zotuar se do ta sjellë fundin e luftës në Ukrainë. Ai madje gjatë fushatës zgjedhore kishte thënë se do ta siguronte paqen brenda 24 orëve pas ardhjes në pushtet. Megjithatë, përpjekjet e tij për ta bindur Rusinë që të ulet në tavolinën e bisedimeve dhe të pajtohet për armëpushim deri më tani kanë dështuar./Nacionale

Lajme të ngjashme