Inteligjenca amerikane thotë se pozita e Netanyahut është në rrezik, pret protesta të mëdha
Komuniteti amerikan i inteligjencës vlerëson se “qëndrueshmëria si udhëheqës” e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, është “në rrezik”, sipas raportit vjetor për rreziqet ndaj sigurisë kombëtare me të cilat ballafaqohen Shtetet e Bashkuara, që u paraqit të hënën në Kongres.
“Mosbesimi ndaj aftësisë së Netanyahut për të qeverisur është thelluar dhe është zgjeruar në mesin e publikut nga nivelet tashmë të larta para luftës, dhe ne presim protesta të mëdha për ta kërkuar dorëheqjen e tij dhe zgjedhje të reja. Një qeveri tjetër, më e moderuar, është një mundësi” – thuhet në raport, shkruan televizioni CNN.
Netanyahu është ballafaquar me kritika të ashpra brenda Izraelit për dështimin e qeverisë së tij për ta parashikuar ose parandaluar sulmin e 7 tetorit, kur Hamasi vrau 1.200 njerëz dhe mori rreth 240 njerëz peng, sipas shifrave të autoriteteve izraelite. Anketat publike gjithashtu sugjerojnë se shumë izraelitë pyesin nëse ofensiva ushtarake shtypëse e Netanyahut si kundërpërgjigje, tashmë në muajin e pestë, që e ka bërë Gazën rrafsh dhe ka lënë të vrarë dhjetëra mijëra njerëz, është mënyra më e mirë për t’i shpëtuar pengjet.
Në raportin e inteligjencës theksohet se popullsia izraelite e përkrah gjerësisht shkatërrimin e Hamasit. Megjithatë, vlerësimi i saj për të ardhmen politike të Netanyahut ofron një raport të qartë për një udhëheqës që presidenti amerikan, Joe Biden, dikur pretendonte se “e dashuronte”.
Ky raport vjen në kohën e një përçarjeje të tensionuar dhe publike mes dy udhëheqësve për shkak të viktimave civile në Gaza.
Në raportin e inteligjencës amerikane gjithashtu paralajmërohet se Izraeli do të ketë vështirësi për ta mposhtur Hamasin ushtarakisht.
“Izraeli ndoshta do të ballafaqohet me rezistencë të armatosur të gjatë nga Hamasi viteve të ardhshme dhe ushtria do të ketë vështirësi për ta neutralizuar infrastrukturën nëntokësore të Hamasit, që u lejon kryengritësve që të fshihen, ta rimarrin forcën dhe t’i befasojnë forcat izraelite” - shkruhet në raport.
Ekspertë dhe analistë ushtarakë kanë dhënë vlerësime të ngjashme, duke paralajmëruar se fushata agresive izraelite e bombardimit mund të shërbejë vetëm për të frymëzuar gjenerata të ardhshme të aktorëve terroristë.
Edhe grupi Al-Qaeda, edhe ISIS-i janë frymëzuar nga Hamasi dhe “i kanë udhëzuar përkrahësit e tyre që të kryejnë sulme kundër interesave izraelite e amerikane”, thuhet në raportin e inteligjencës.
Brenda ShBA-së, rreziku nga një sulm terrorist “ka shkuar në një nivel të tërë [tjetër]” që nga sulmi i 7tetorit, tha drejtori i FBI-së, Chris Wray, të hënën në Komisionin për Inteligjencë në Senatin e ShBA-së.