India ua ndalon prodhuesve të dronëve ushtarakë përdorimin e pjesëve kineze - NACIONALE

India ua ndalon prodhuesve të dronëve ushtarakë përdorimin e pjesëve kineze

3 vjet më parë

nga NACIONALE

India muajve të fundit ua ka ndaluar prodhuesve të dronëve ushtarakë përdorimin e pjesëve të prodhuara në Kinë për shkak të shqetësimit rreth pikave të brishta të sigurisë, sipas katër zyrtarëve të mbrojtjes dhe të industrisë dhe sipas dokumenteve të analizuara nga agjencia “Reuters”.

Kjo masë vjen në kohën e tensioneve mes fqinjëve që kanë armë bërthamore, përderisa India po e zbaton modernizimin ushtarak që parasheh përdorim më të madh të dronëve pa pilotë, sistemeve me qëndrueshmëri të gjatë dhe platformave të tjera autonome, raporton agjencia “Reuters”.

Megjithatë, përderisa industria e re indiane mundohet që t’i plotësojë nevojat ushtarake, figurat e mbrojtjes dhe të industrisë thanë se udhëheqësit indianë të sigurisë ishin të shqetësuar që grumbullimi i të dhënave të inteligjencës mund të preket nga pjesët kineze në funksionet e dronëve për komunikim, kamera, transmetim të radiovalëve e softuerë operues.

Tre prej këtyre personave dhe disa nga gjashtë figurat e tjera qeveritare e të industrisë, që u intervistuan nga agjencia “Reuters”, folën në kushte anonimiteti, sepse nuk ishin të autorizuar për të folur me media shkaku i ndjeshmërisë së temës. Ministria e Mbrojtjes e Indisë nuk iu përgjigj pyetjeve të agjencisë “Reuters”.

Qasja e Indisë, e raportuar për herë të parë nga agjencia “Reuters”, i plotëson kufizimet me faza ndaj importimit të dronëve vëzhgues që nga viti 2020 dhe është duke u zbatuar përmes tenderëve ushtarakë, sipas dokumenteve.

Në dy takime në shkurt dhe mars për diskutime rreth tenderëve për dronë, zyrtarët ushtarakë indianë u thanë ofertuesve të mundshëm se pajisjet ose nënkomponentët nga “shtetet që kanë kufij tokësorë me Indinë nuk do të jenë të pranueshëm për arsye sigurie”, sipas procesverbaleve të analizuara nga agjencia “Reuters”. Në ato procesverbale nuk janë identifikuar zyrtarët ushtarakë.

Një zyrtar i lartë i mbrojtjes i tha agjencisë “Reuters” se referenca ndaj shteteve fqinje është eufemizëm për Kinën, duke shtuar se industria indiane është bërë e pavarur nga ekonomia e dytë më e madhe në botë pavarësisht nga shqetësimi për sulme kibernetike.

Pekini e ka mohuar përfshirjen në sulme kibernetike. Ministria e Tregtisë e Kinës, e cila javën e kaluar njoftoi kontrolle të eksportimit të disa pajisjeve të dronëve dhe të lidhura me dronë, nuk iu përgjigj pyetjeve rreth masave të Indisë.

Lajme të ngjashme