India e ndryshon qasjen duke u afruar me Izraelin, ndalohen protestat pro-palestineze në Kashmir
Nga kryeqytetet perëndimore, te shtetet myslimane, protestat rreth luftës Izrael - Hamas e kanë marrë vëmendjen e mediave. Megjithatë, një vend i njohur për qëndrimin e zëshëm pro-palestinez ka qenë dukshëm i qetë: Kashmiri i kontrolluar nga India.
Autoritetet indiane kanë ndaluar çfarëdo proteste solidarizuese në Kashmirin me shumicë myslimane dhe ka kërkuar nga predikuesit myslimanë që të mos e përmendin konfliktin Izrael – Hamas në predikimet e tyre, i thanë agjencisë “Associated Press” disa banorë e udhëheqës fetarë.
Këto kufizime janë pjesë e përpjekjeve të Indisë që të frenojë çfarëdo forme të protestave që do të mund të shndërroheshin në kërkesa për t’i dhënë fund pushtetit të Neë Delhi-t në rajonin e kontestuar. Këto masa gjithashtu pasqyrojnë një ndryshim në politikën e jashtme të Indisë nën pushtetin e kryeministrit populist, Narendra Modi, duke u larguar nga përkrahja e gjatë për palestinezët, thonë analistët.
India për një kohë të gjatë ka ecur nëpër një rrugë të baraspeshuar mes dy palëve të konfliktit, duke pasur lidhje historike edhe me izraelitët, edhe me palestinezët. Përderisa e ka dënuar fuqishëm sulmin e 7 tetorit nga Hamasi dhe ka shprehur solidaritet me Izraelin, shteti i madh aziatik ka bërë thirrje edhe për respektimin e të drejtës humanitare ndërkombëtare në Gaza në kohën e shtimit të viktimave civile atje.
Sidoqoftë, në Kashmir, të qëndruarit heshtur është i dhimbshëm për shumë njerëz.
“Nga këndvështrimi mysliman, Palestina është shumë e dashur për ne dhe ne në thelb duhet ta ngremë zërin kundër shtypjes atje, por detyrohemi që të rrimë të heshtur”- tha Mirwaiz Umar Faroq, udhëheqës kyç i rezistencës dhe klerik mysliman. Ai thotë se është vënë nën arrest shtëpiak çdo të premte që nga fillimi i luftës dhe se lutjet e së premtes janë ndaluar në xhaminë më të madhe të rajonit në Srinagar, qyteti kryesor i Kashmirit.
Ndjenjat anti-indiane janë të rrënjosura thellë në rajonin e Himalajeve që është i ndarë mes Indisë e Pakistanit, por të dyja shtetet pretendojnë se i tërë territori është i tyre. Në vitin 2019, India e shfuqizoi gjysmë-autonominë e Kashmirit, duke penguar në masë drastike çfarëdo forme të pakënaqësisë, liritë civile dhe lirinë e mediave.
Banorët e Kashmirit për kohë të gjatë kanë shprehur solidaritet të fuqishëm me palestinezët dhe shpesh kanë mbajtur protesta kundër Izraelit gjatë luftimeve të mëparshme në Gaza. Ato protesta shpesh janë shndërruar në përleshje në rrugë, me kërkesa për t’i dhënë fund pushtetit të Indisë në Kashmir dhe me dhjetëra viktima gjatë dhunës.
