Indeksi global: Izraeli e humb statusin e demokracisë liberale pas më shumë se pesë dekadave
Në një raport vjetor të publikuar nga organizata “V-Dem”, indeks i njohur global i demokracisë, Izraeli ka rënë nga kategoria e demokracive liberale për herë të parë në më shumë se 50 vjet.
Indeksi i fajëson për këtë rënie përpjekjet e Qeverisë që t’i miratonte reformat e diskutueshme në sistemin e drejtësisë vitin e kaluar. Izraeli tani bën pjesë në kategorinë e demokracive elektorale, raporton gazeta “The Times of Israel”.
“Më me rëndësi, Izraeli e humbi statusin e vet të gjatë si demokraci liberale më 2023. Tani klasifikohet si demokraci elektorale – për herë të parë në më shumë se 50 vjet. Kjo është kryesisht për shkak të rënieve të konsiderueshme në treguesit që i matin transparencën dhe parashikueshmërinë e ligjeve, dhe për shkak të sulmeve qeveritare ndaj gjyqësorit” – thuhet në raportin vjetor.
“Mes gjërave të tjera, Kuvendi i Izraelit miratoi një projektligj më 2023 duke ia hequr Gjykatës Supreme autoritetin për të shfuqizuar ligje, kështu duke i minuar kontrollet ndaj pushtetit ekzekutiv. Treguesit që janë në rënie të konsiderueshme gjithashtu e përfshijnë lirinë nga tortura” – vlerësohet në raport.
Qeveria në masë të konsiderueshme i ka pezulluar përpjekjet për ta miratuar reformën që kishte nxitur protesta të gjera publike. Pezullimi i përpjekjeve erdhi pas fillimit të luftës me Hamasin në tetor.