Incident te qendra e ndihmave në Gaza, Kryqi i Kuq raporton për 21 të vrarë e dhjetëra të plagosur
Një grumbull i madh i njerëzve, shumë prej tyre me plagë nga të shtënat me armë ose copëzat e predhave, u pranuan në një spital fushor të Kryqit të Kuq në jug të Gazës, tha kjo organizatë, pas raportimeve të kontestuara rreth një incidenti afër një qendre për shpërndarjen e ndihmave në Rafah.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq tha se 21 njerëz “u shpallën të vdekur me të arritur”, ndërsa në mesin e 179 rasteve kishte edhe gra e fëmijë, raporton televizioni BBC.
Deklarata e Kryqit të Kuq erdhi pasi Mbrojtja Civile, e udhëhequr nga Hamasi, tha se të paktën 31 njerëz u vranë dhe shumë të tjerë u lënduan në incident, për të cilin e fajësoi “zjarrin izraelit të armëve” që vuri në shënjestër civilë.
Megjithatë, ushtria izraelite tha se të gjeturat e një hetimi fillestar tregojnë se forcat e saj nuk kishin shtënë në drejtim të njerëzve, kur ata ishin afër ose brenda qendrës së ndihmave.
Ushtria izraelite gjithashtu publikoi pamje nga droni për të cilat tha se shfaqin burra të armatosur e të maskuar duke hedhur gurë e duke shtënë me armë në drejtim të civilëve, përderisa këta ishin duke mbledhur ndihma afër qytetit Khan Younis. Televizioni BBC nuk mundi t’i vërtetonte menjëherë pamjet.
Izraeli nuk lejon brenda Gazës organizata ndërkombëtare të lajmeve, përfshirë BBC-në, duke e bërë të vështirë vërtetimin e asaj që është duke ndodhur brenda enklavës palestineze.
Në deklaratën e vet, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq tha se “spitali fushor i Kryqit të Kuq në Rafah pranoi një fluks me viktima masive prej 179 rastesh, përfshirë gra e fëmijë” herët në mëngjes të dielën. Aty thuhet se “shumica pësuan plagë nga armët ose copëzat e predhave”.
“Të gjithë pacientët thanë se kishin qenë duke u përpjekur që të arrinin te një qendër e shpërndarjes së ndihmave” – thuhet më tej në deklaratë.
Një incident tjetër thuhet të ketë ndodhur afër një qendre tjetër të ndihmave në Korridorin Netzarim në qendër të Gazës. Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze raportoi për 14 persona të lënduar atje./Nacionale