“Incident i madh”: Thesari i ShBA-së thotë se hakerët kinezë i kanë vjedhur dokumente - NACIONALE

“Incident i madh”: Thesari i ShBA-së thotë se hakerët kinezë i kanë vjedhur dokumente

1 vit më parë

nga NACIONALE

Hakerë kinezë të sponsorizuar nga shteti e thyen sigurinë kompjuterike të Departamentit të Thesarit të ShBA-së këtë muaj dhe vodhën dokumente në atë që Thesari e quajti “incident të madh”, sipas një letre dërguar ligjvënësve, të cilën zyrtarë të Thesarit ia ofruan edhe agjencisë së lajmeve “Reuters” të hënën.

Hakerët e komprometuan ofruesin e sigurisë kibernetike si palë e tretë, “BeyondTrust”, dhe ishin në gjendje që të siguronin qasje në dokumente të paklasifikuara, thuhet në letër, raporton agjencia “Reuters”.

Departamenti i Thesarit tha se ishte njoftuar nga kompania “BeyondTrust” më 8 dhjetor për depërtimin e hakerëve dhe se ishte duke punuar me Agjencinë për Siguri Kibernetike dhe Siguri të Infrastrukturës si dhe me FBI-në për ta vlerësuar ndikimin e veprimit të hakerëve.

Zyrtarë të Thesarit nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për të dhënë më shumë hollësi rreth harkimit. As FBI-ja nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Një zëdhënës i ambasadës kineze në Uashington hodhi poshtë çfarëdo përgjegjësie për rastin, duke thënë se Pekini “në mënyrë të vendosur i kundërshton sulmet njollosëse të ShBA-së kundër Kinës pa asnjë bazë faktike”.

Një zëdhënës i kompanisë “BeyondTrust” i tha agjencisë “Reuters” se kompania “më parë identifikoi dhe mori masa për ta adresuar incidentin e sigurisë në fillim të dhjetorit të vitit 2024”, ku u përfshi një produkt mbështetës i saj. “BeyondTrust” e njoftoi numrin e kufizuar të klientëve që ishin të përfshirë” dhe u njoftuan edhe autoritetet e sundimit të ligjit, tha zëdhënësi.

Lajme të ngjashme