Imigrimi e çon në shifër rekorde popullsinë e Gjermanisë
Popullsia e Gjermanisë u rrit për 300 mijë banorë gjatë vitit 2023, duke shkuar në numër rekord prej 84,7 milionë njerëzish që jetojnë në ekonominë më të madhe evropiane.
Numri i madh i imigrantëve i mbuloi efektet e numrit të ulët të lindjeve e popullsisë që po plaket. Të dhënat u publikuan të enjten nga zyra e statistikave, raporton agjencia “Reuters”.
Rritja e numrit të popullsisë vitin e kaluar ishte në vijë me rritjen mesatare në periudhën 2012 – 2021, por dukshëm më e dobët se në vitin 2022, kur qindra mijëra refugjatë të Ukrainës kishin shkuar në Gjermani për të kërkuar strehim.
Imigrimi është temë kyçe tash për tash në Gjermani, ku pushteti i ka fuqizuar kontrollet kufitare dhe ka premtuar se do t’i përshpejtojë dëbimet, ndërkohë gjithashtu duke e adresuar nevojën për punëtorë të huaj me reforma përmes lehtësimit të marrjes së shtetësisë gjermane.
Partia e së djathtës ekstreme, AfD, është ngritur në vendin e dytë në sondazhe, duke e shfrytëzuar shqetësimin e shumë votuesve gjermanë për numrin e madh të imigrantëve.
Sipas zyrës së statistikave, numri i imigrantëve në Gjermani gjatë vitit 2023 ishte mes 680 mijë e 710 mijë njerëz.
Këto shifra janë më të vogla se në vitin 2015, kur lufta në Lindje të Mesme e kishte çuar në 1,14 milion numrin e imigrantëve në Gjermani, dhe më 2022 – 1,46 milion – për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë.