Imazhi i gruas shtatzënë pas sulmit në spitalin e Mariupolit fiton çmimin për foton e vitit - NACIONALE

Imazhi i gruas shtatzënë pas sulmit në spitalin e Mariupolit fiton çmimin për foton e vitit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një fotografi e një gruaje shtatzënë të plagosur që po transportohej nga një maternitet i dëmtuar nga bombardimet në qytetin ukrainas të Mariupol, ka fituar çmimin World Press Photo of the Year.

Fotoja – e marrë nga Evgeniy Maloletka për Associated Press, është shkrepur më 9 mars 2022, ku pas publikimeve e raportimeve të shumta në mediat botërore, u bë emblemë e agresionit rus në Ukrainë.

Kujtojmë se pak ditë pas fotografisë, një kirurg nga Ukraina ka njoftuar se gruaja në imazh – e quajtur nga World Press Photo si Iryna Kalinina – dhe foshnja e saj kanë vdekur të dy.

Sa i përket fotografit, sipas World Press Photo Contest Maloletka është një fotograf lufte, gazetar dhe regjisor nga Berdiansk, Ukrainë.

Anëtarët e jurisë duke përshkruar imazhin kanë thënë se "kap absurditetin dhe tmerrin e luftës" dhe "shfaqet si një fakt historik thellësisht i dhimbshëm".

“Duke i dhënë imazhit një platformë, juria shpreson që bota të ndalojë dhe të pranojë realitetet e patolerueshme të kësaj lufte dhe të marrë në konsideratë të ardhmen e Ukrainës,”- ka shtuar tutje juria që ka ndarë çmimin.

Kryetari i jurisë globale, Brent Lewis, një redaktues fotografish i New York Times dhe bashkëthemelues i Diversify Photo është shprehur se:

"Imazhi i bezdisshëm nga rrethimi i Mariupolit u zgjodh unanimisht si fituesi i Fotos Botërore të Shtypit të Vitit. Me votën që u vendos në përvjetorin e parë të fillimit të luftës në Ukrainë, juria përmendi fuqinë e imazhit dhe historinë që ka, si dhe mizoritë që ajo tregon."

Kujtojmë se sulmi në qytetin kyç juglindor të Ukrainës erdhi pasi ishte rrethuar nga forcat ruse, me banorët e bllokuar të detyruar të strehoheshin nën tokë, të shkrinin borën për ujë dhe të kërkonin ushqim.

Lajme të ngjashme