Ilaçi i kompanisë amerikane e ngadalëson për 35 për qind avancimin e Alzheimerit gjatë testimit - NACIONALE

Ilaçi i kompanisë amerikane e ngadalëson për 35 për qind avancimin e Alzheimerit gjatë testimit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një ilaç eksperimental kundër sëmundjes së Alzheimerit, i zhvilluar nga kompania “Eli Lilly and Co”, e ka ngadalësuar rënien e aftësisë njohëse për 35 për qind gjatë një testimi të fazës së vonshme, tha kjo kompani të mërkurën, duke e shtuar shpresën për trajtimin e dytë efektiv për kundër kësaj sëmundjeje të trurit.

Ilaçi i quajtur “donanemab” i ka plotësuar të gjitha qëllimet e testimit. Ky ilaç e ngadalësoi për 35 deri në 36 për qind avancimin e sëmundjes në krahasim me një substancë të rreme te 1.182 persona të diagnostikuar me fazën e hershme të Alzheimerit, duke u mbështetur në skanimet që e shfaqin përqendrimin e proteinës amiloide dhe nivelet e ndërmjetme të proteinës tau, tha kompania “Lilly”, raporton agjencia “Reuters”.

552 pacientë të tjerë që morën pjesë në testim patën nivel të lartë të proteinës tau, duke lënë të kuptohet se ata do të kishin më pak gjasa për të reaguar ndaj trajtimit.

Pas kombinimit të të dyja grupeve, ilaçi “donanemab” e ngadalësoi avancimin e Alzheimerit për 22 për qind, duke e përdorur shkallën e dizajnuar nga kompania për matjen e njohjes dhe veprimeve të jetës së përditshme, dhe 29 për qind duke u bazuar në një shkallë më të rëndomtë të matjes së avancimit të demencës.

“Këto janë të dhënat më të fuqishme të fazës së tretë deri më tani për një trajtim kundër Alzheimerit”- tha Maria Carrillo, zyrtare e lartë shkencore në Shoqatën për Alzheimerin.

Të dhënat e publikuara të martën e rritën vlerën e aksioneve të kompanisë “Lilly” për 5,6 për qind, ndërsa vlera e aksioneve të kompanisë rivale, “Biogen”, ra për 2,5 për qind.

Lajme të ngjashme