Ekspertët ngjallin shpresa për trajtim të Alzheimerit deri në vitin 2040
Një nga ekspertët kryesorë në Mbretërinë e Bashkuar për Alzheimer beson se brenda 20 viteve do të gjendet një trajtim për format më të zakonshme të kësaj sëmundje.
Përderisa në fillim të studimit të tyre për sëmundjen në vitin 2009, ekipi i profesor Julie Williams në Universitetin e Cardiff-it kishte identifikuar vetëm 3 gjene që rrisin ndjeshëm rrezikun për të pasur një gjendje progresive, tani ata kanë identifikuar 92 gjene të tilla.
"Gjërat po përshpejtohen dhe përmirësohen gjatë gjithë kohës,"- është shprehur prof. Williams, e cila e ka studiuar Alzheimerin për 30 vjet.
Sëmundja e Alzheimerit prek trurin dhe është shkaku më i zakonshëm i demencës.
Prof Williams, drejtore e qendrës në Institutin e Kërkimit të Demencës në Mbretërinë e Bashkuar, ka thënë për BBC-në, se terapia gjenetike, së bashku me një kuptim të përmirësuar nga studimet ndërkombëtare, po jepte informacione për studiuesit çdo ditë e më shumë.
"Pasi të dini se ku të filloni të kërkoni, atëherë mund të studioni efektet që kanë gjenet në aktivitetin specifik të trurit. Për shembull, ne tani e dimë se gjenet e dëmtuara ndryshojnë mënyrën se si funksionojnë qelizat imune të quajtura mikroglia,”- ka treguar ajo.
Ajo ka shtuar se studimi që ka bëra në mijëra raste e ka bërë të kuptojë se sëmundja duhet të shihet më shumë si sëmundje e zemrës ose si goditje në tru, ku ka shumë faktorë kontribuues dhe disa terapi mund të ndihmojnë në vonimin ose parandalimin e sëmundjes.
"Deri në vitin 2040 mendoj se ne do të jemi në gjendje të ofrojmë një sërë trajtimesh dhe mund të mos e dimë saktësisht pse, por njëri prej tyre do të jetë në gjendje të veprojë në një gamë të madhe shkaqesh," - është shprehur më tej ajo.
Williams ka shtuar se ka disa barna tashmë të gatshme për përdorim në kushte të tjera, duke sugjeruar se ato mund të hyjnë në përdorim klinik brenda pesë viteve.

