I vlerësuar si hero, ushtari rus thotë se e qëlloi veten me armë për t’u larguar nga Ukraina
Në një studio të ndritshme televizive, një nënë qan, përderisa në prapavijë dëgjohet muzikë sentimentale dhe një prezantues flet për të birin hero për të cilin ajo nuk kishte dëgjuar qe një vit. “Dhe tash ai është këtu” – thotë prezantuesi, duke e nxitur habinë tek audience dhe një përqafim të ngrohtë në skenë, kur ai del para kamerave.
Emisioni televiziv ku shfaqej Yevgeny Korobov ishte transmetuar në dhjetorin e vitit 2022, rreth 10 muaj pas fillimit të pushtimit të plotë rus të Ukrainës. E sot, Korobovi po kërkon azil politik në Kazakistan, prej ku Radios “Evroa e Lirë” I tregoi se si, në të vërtetë, e kishte qëlluar veten me armë në këmbë për t’i ikur luftës në të cilën nuk besonte.
“Nuk dua të luftoj në këtë luftë” – tha ai, duke folur nga një dhomë e pasme e një kafeneje në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana. “Nuk ka asgjë të keqe, nëse e mbron Rusinë në tokën e saj, nëse ajo sulmohet, por kjo nuk ndodhi” – shtoi Korobovi.
Ai kishte shërbyer në Brigadën e 15-të të Motorizuar, ku përfshiheshin më shumë se 2.000 ushtarë dhe grupi i tyre kishte avancuar deri afër Kievit në javët e para të pushtimit, duke qëndruar atje deri në fundin e marsit të vitit 2022.
Pas tërheqjes së forcave ruse, prokurorët ukrainas akuzuan disa pjesëtarë të kësaj brigade për krime lufte. Korobovi tha se kishte dëgjuar për akuzat, por personalisht nuk kishte parë ndonjë krim.
Ai nuk e mohon mundësinë se, duke shtënë drejt pozicioneve ukrainase, mund të ketë plagosur apo vrarë ndonjë person, por thotë se nuk kishte zgjedhje tjetër.
Gjatë disa muajve sa ishte në Ukrainë, thotë se kuptoi që “mënyra e vetme për të dalë nga ai vend ishte i vdekur ose i plagosur”. Vendosi për mundësinë e dytë dhe e qëlloi veten në këmbë gjatë një operacioni luftarak.
“Gjaku filloi të rridhte. I nxehtë. Tërë këmba ime ishte plot me gjak” – tha ai.