I riu australian vdes pas rënies në gropën që ishte hapur për të pjekur një derr
Një rast i çuditshëm fatal raportohet të ketë ndodhur në Australi. Një burrë ka vdekur, pasi kishte rënë në një gropë dhe ishte mbuluar nga rëra në një plazh në pjesën lindore të shtetit të largët.
Josh Taylor, 23 vjeç, ishte në një zonë për kamping në plazhin e Ishullit Bribie në Queensland të shtunën, kur ra në një gropë që raportohet se ishte hapur për të pjekur një derr, raporton televizioni BBC.
I riu ishte dërguar në një spital me helikopter pak pas incidentit, por nuk u mbijetoi lëndimeve të enjten. Autoritetet ende janë duke i hetuar rrethanat që çuan te vdekja e tij. Ato nuk janë akoma të njohura.
Policia në Queensland tha përmes një deklarate se “mund të ketë shumë njerëz që ishin të pranishëm [në vendin e ngjarjes] dhe që ende nuk kanë folur me policinë”.
Josh-i ishte me shokët në Ishullin Bribie – zonë e popullarizuar për kamping, 65 kilometra në veri të qytetit Brisbane – kur ndodhi incidenti, sipas mediave lokale.
Gazeta “The Courier Mail” raportoi se u nevojitën 15 persona për ta nxjerrë të riun nga gropa para se atij t’i ofrohej ndihma urgjente e më pas të vinin mjekët në vendin e ngjarjes.
Familja e Josh-it konfirmoi se atij iu hoqën pajisjet mbështetëse në spital të enjten.
Në një deklaratë prekëse, të afërmit e përshkruan të riun si “të birin, vëllanë, të dashurin e shokun më të mirë që do ta dëshironim” dhe i cili do t’u mungojë “për secilën minutë të secilës ditë”.
Më shumë se 65 mijë dollarë australianë janë grumbulluar përmes internetit për ta përkrahur familjen e të ndjerit.