“I mbajmë përgjegjës”: Kryediplomati i ri sirian e paralajmëron Iranin kundër përhapjes së kaosit - NACIONALE

“I mbajmë përgjegjës”: Kryediplomati i ri sirian e paralajmëron Iranin kundër përhapjes së kaosit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministri i porsaemëruar i Punëve të Jashtme i Sirisë, Asaad Hassan al-Shibani, i tha Iranit që të mos përhapë kaos në vendin e tij, por t’i respektojë vullnetin e popullit sirian dhe sovranitetin e shtetit fqinj.

Në një shkrim të publikuar në rrjetin X, Shibani tha: “Irani duhet t’i respektojë vullnetin e popullit sirian dhe sovranitetin e sigurinë e vendit. Ne i paralajmërojmë ata nga përhapja e kaosit në Siri dhe i mbajmë përgjegjës për pasojat e komenteve të fundit.”

Kryediplomati sirian nuk saktësoi se cilave komente të fundit po u referohej, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Në një fjalim të transmetuar në televizion të dielën, lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, u bëri thirrje të rinjve sirianë që “të qëndrojnë me vendosmëri të prerë kundër atyre që e kanë orkestruar dhe e kanë sjellë këtë pasiguri”.

“Ne parashikojmë se një grup i fuqishëm dhe i nderuar gjithashtu do të shfaqet në Siri, sepse rinia siriane sot nuk ka asgjë për të humbur. Shkollat, universitetet, shtëpitë dhe rrugët e tyre janë të pasigurta” – shtoi Khamenei.

“Prandaj, ata duhet të qëndrojnë prerazi me vendosmëri kundër planifikuesve dhe ekzekutuesve të pasigurisë do të ngadhënjejnë mbi ta” – tha më tej lideri suprem iranian.

Rebelët sirianë e rrëzuan nga pushteti ish-presidentin Bashar al-Assad më 8 dhjetor pas një lufte civile 13-vjeçare.

Irani kishte shpenzuar miliarda dollarë për ta fuqizuar Assadin gjatë luftës dhe kishte dislokuar trupa të Rojave Revolucionare në Siri për ta mbajtur aleatin e vet në pushtet.

Rrëzimi i Assadit shihet gjerësisht si goditje e rëndë ndaj “Aksit të Rezistencës” që udhëhiqet nga Irani, aleancë politike e ushtarake që e kundërshton ndikimin izraelit dhe amerikan në Lindjen e Mesme./Nacionale

Lajme të ngjashme