I dyshuari për vjedhjet 26-milionëshe të stolive në Britani arrestohet në Serbi - NACIONALE

I dyshuari për vjedhjet 26-milionëshe të stolive në Britani arrestohet në Serbi

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një burrë i akuzuar për përfshirje në njërën nga vjedhjet më të mëdha në historinë e Anglisë është arrestuar në Serbi.

Ai dhe pesë të tjerë u arrestuan në Beograd nën dyshimin për pastrim parash, tha Policia Metropolitane, raporton televizioni BBC.

Ky person dyshohet se ka qenë pjesë e vjedhjeve nëpër shtëpitë e tri figurave të famshme në Londër në dhjetor të vitit 2019, kur ishin marrë gjëra me vlerë të 26 milionë funteve.

Vjedhja më e rëndë kishte ndodhur në shtëpinë e modeles Tamara Ecclestone, ku stoli, para të gatshme e gjëra të tjera me vlerë të përgjithshme prej 25 milionë funtesh ishin vjedhur.

Në shënjestër të hajnave ishin edhe shtëpitë e ish-futbollistit të klubit Chelsea, Frank Lampard, dhe ish-pronarit tashmë të ndjerë të klubit Leicester City, Vichai Srivaddhanaprabha.

Shumica e stolive e orëve të shtrenjta që ishin vjedhur nuk janë gjetur kurrë.

Vitin e kaluar, tre shtetas italianë – Alessandro Maltese, Alessandro Donati e Jugoslav Jovanoviq – ishin dënuar me 28 vite burgim gjithsej, pasi ishin deklaruar fajtorë për konspiracion për të grabitur.

Një kërkesë ndërkombëtare për person të kërkuar ishte lëshuar nga Policia Metropolitane për të dyshuarin tjetër, i njohur si Daniel Vukoviq.

Sipas një hulumtimi të BBC-së, autoritetet e kishin lidhur këtë person me grabitje të tjera të dyshimta nëpër Evropë. Besohet se ai ka përdorur të paktën 19 identitete.

Lajme të ngjashme