I dehuri e godet me veturë turmën në një karnaval biçikletash në Nigeri, 14 të vdekur
Të paktën 14 persona kanë vdekur dhe 24 të tjerë janë lënduar, pasi një veturë e goditi turmën e njerëzve që po e shikonin parakalimin e motoçiklistëve në një karnaval të njohur në qytetin jugor Nigerian, Calabar.
Dëshmitarët thanë se drejtuesi që po e drejtonte automjetin me shpejtësi, e humbi kontrollin e veturës. Në pamjet e publikuara në internet shiheshin pasojat e incidentit me trupa njerëzish të shpërndarë në rrugë.
Karnavali vjetor zgjat një muaj dhe gjatë tij zhvillohen ngjarje të ndryshme. Ky organizim është bërë tërheqës për shumë njerëz që nga fillimi i mbajtjes së tij më 2004, shkruan BBC, përcjell “Nacionale”.
Incidenti i së martës ndodhi gjatë paradës së popullarizuar të motoçikletave në njërën prej rrugëve kryesore të karnavalit, e cila ishte e mbyllur për trafikun e automjeteve.
Policia tha se një drejtues i dehur i veturës – i cili është arrestuar – e ka humbur kontrollin ndaj veturës dhe e ka goditur turmën e njerëzve.
Guvernatori i rajonit Cross River, Ben Ayade, e anuloi pjesën tjetër të paradës dhe bëri thirrje për hetim të menjëhershëm të tragjedisë.
Ngjarjet e tjera të karnavalit, i cili pritet të përfundojë në natën e Vitit të Ri me hedhjen e fishekzjarrëve, nuk janë anuluar.