I ballafaquar me dënime milionëshe, Trumpi po shet Bibla me çmim të lartë - NACIONALE

I ballafaquar me dënime milionëshe, Trumpi po shet Bibla me çmim të lartë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, tash po shet Bibla, përderisa po synon që të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë përmes zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

Trumpi, i cili më herët këtë muaj u bë i nominuar i Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale, publikoi të martën një video në platformën e tij sociale, duke u bërë thirrje përkrahësve që ta blenin “Biblën Zoti e Bekoftë ShBA-në”, e cila është frymëzuar nga balada e këngëtarit Lee Greenwood. Bibla do të shitet për 59,99 dollarë. Trumpi del në skenë me këtë këngë në tubime dhe është shfaqur me këngëtarin në organizime të ndryshme, raporton agjencia “Associated Press”.

Përpjekja për grumbullim të fondeve vjen në kohën kur Trumpi ballafaqohet me fatura ligjore në rritje, përderisa po lufton me katër aktakuza kriminale, bashkë me një varg të akuzave civile. Të hënën, një gjykatë apeli në Nju-Jork e pezulloi urdhin me gjobë prej më shumë se 454 milionë dollarësh, nëse Trumpi dorëzon 175 milionë dollarë brenda 10 ditëve. Ish-presidenti tashmë ka dhënë dorëzani prej 92 milionë dollarësh në lidhje me rastet për shpifje, të paraqitura nga shkrimtarja E. Jean Carroll, e cila e ka akuzuar Trumpin për sulm seksual.

“Të gjithë amerikanëve u duhet një Bibël në shtëpinë e tyre dhe unë kam shumë. Është libri im i parapëlqyer. Unë jam krenar që t’ju përkrah dhe t’ju inkurajon që ta merrni këtë Bibël. Ne duhet ta bëjmë Amerikën që të lutet përsëri” – thotë Trumpi në video.

Bibla është projekti më i ri tregtar që Trumpi po e zbaton gjatë fushatës. Muajin e kaluar, ai hodhi në treg një linjë të re të mbathjeve, përfshirë një palë që kushtojnë 399 dollarë. Ai gjithashtu ka botuar libra me fotografi të periudhës së tij në pushtet dhe letra që i janë shkruar ndër vite.

Në uebfaqen e Biblës që po e shet Trumpi thuhet se produkti “nuk është politik dhe nuk ka të bëjë asgjë me fushatën politike”.

Kur i ishte kërkuar që t’i thoshte vargjet e preferuara të Biblës gjatë një interviste më 2015, Trumpi kishte ngurruar. “Nuk do të doja të futem në këtë, sepse për mua kjo është diçka shumë personale. Bibla do të thotë shumë për mua, por nuk dëshiron që të futem në specifika” – kishte thënë ai.

Lajme të ngjashme