I ballafaquar me arrestim, Yooni i Koresë së Jugut zotohet për “luftë deri në fund”
Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, ka thënë përmes një letre se “do të luftojë deri në fund”, përderisa ballafaqohet me përpjekjen e autoriteteve për ta arrestuar për shkak të shpalljes së ligjit ushtarak më 3 dhjetor, tha një avokat të enjten.
“Po e shikoj drejtpërdrejt në “YouTube” tërë punën e madhe që ju jeni duke e bërë” – shkroi Yooni në letër të mërkurën vonë, kushtuar qindar mbështetësve që janë grumbulluar afër rezidencës së tij zyrtare, duke protestuar kundër hetimit ndaj tij, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Unë do të luftoj deri në fund për ta mbrojtur këtë vend bashkë me ju” – shkroi ai më tej në letrën që agjencisë “Reuters” ia dërgoi avokati Seok Dong-hyeon, i cili e këshillon Yoonin.
Partia Demokratike në opozitë, e cila e kontrollon shumicën e ulëseve në Kuvend dhe e cila e udhëhoqi miratimin e hetimit kundër Yoonit më 14 dhjetor, tha se letra dëshmon që Yooni ka qëndrime deluzive dhe mbetet i përkushtuar për ta kompletuar “kryengritjen” e tij.
“Sikur përpjekja për të organizuar kryengritje të mos ishte e mjaftueshme, ai tani po i nxit përkrahësit e tij drejt një përplasjeje ekstreme” – tha në një deklaratë zëdhënësi i Partisë Demokratike, Jo Seoung-lae.
Një gjykatë të martën e miratoi urdhërarrestin për Yoonin, dokument që mund ta bëjë atë presidentin e parë në detyrë që arrestohet si pjesë e hetimeve nën dyshimet për organizimin e kryengritjes përmes përpjekjes për ta futur në fuqi ligjin ushtarak.
Kryengritja është njëra nga pak akuzat penale për të cilat presidenti i Koresë së Jugut nuk ka imunitet.
Zyra për Hetimin e Korrupsionit për Zyrtarë të Lartë, e cila është duke udhëhequr një ekip të përbashkët të hetuesve, ku përfshihen policë e prokurorë, ka kohë deri më 6 janar për ta ekzekutuar urdhërarrestin.
Ishte e paqartë se kur dhe si do ta bëjë kjo zyrë arrestimin dhe nëse shërbimi presidencial i sigurisë, i cili e ka bllokuar qasjen e hetuesve me një urdhër bastisjeje për zyrën dhe rezidencën zyrtare të Yoonit, do të mundohet që ta ndalë edhe përpjekjen për arrestimin e presidentit.