Hungaria ua ndalon tre zyrtarëve ushtarakë ukrainas hyrjen në territorin e saj
Hungaria të enjten ua ndaloi tre zyrtarëve ushtarakë ukrainas hyrjen në territorin e saj për shkak të vdekjes së një qytetari me shtetësi të dyfishtë hungarezo-ukrainase në Ukrainë, kur marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje po përkeqësohen shpejt.
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, javën e kaluar i akuzoi autoritetet ukrainase se e kishin rrahur për vdekje burrin me shtetësi të dyfishtë gjatë mobilizimit të tij në ushtrinë ukrainase, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Ukraina, e cila po lufton kundër pushtimit rus nga shkurti i vitit 2022, e ka hedhur poshtë pretendimin e Orbanit, duke thënë se burri ishte shtetas ukrainas që ishte larguar nga njësiti i tij ushtarak pa autorizim dhe më vonë ishte paraqitur në një spital, ku mjekët nuk i kishin gjetur lëndime fizike që tregonin dhunë.
Zyrtarët ukrainas kanë premtuar një hetim të plotë për vdekjen e këtij personi, për të cilën thonë se është shkaktuar nga embolizmi pulmonar. Megjithatë, Orbani dhe mediat e lidhura me qeverinë e tij kanë këmbëngulur vazhdimisht se burri ishte rrahur për vdekje nga rekrutuesit ushtarakë, edhe pse nuk kanë paraqitur dëshmi konkluzive.
Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, tha në një konferencë për gazetarë të enjten se vendi i tij do t’ua ndalojë hyrjen tre zyrtarëve ushtarakë ukrainas si kundërpërgjigje për vdekjen e burrit me shtetësi të dyfishtë. Ai nuk ua përmendi emrat zyrtarëve ushtarakë ukrainas, por tha se bëhet fjalë për një shef të personelit në ushtri, një komandant rajonal dhe një zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës, përgjegjës për mobilizimin ushtarak.
Kryediplomati hungarez tha se Qeveria e vendit të tij të mërkurën madje kishte kërkuar që këta tre zyrtarë të futeshin në një listë të sanksioneve të Bashkimit Evropian.
“Derisa të zbatohen sanksionet, ne sot kemi ndërmarrë masa për t’ua ndaluar të tre individëve hyrjen në Hungari” – tha ministri Szijjarto.
Orbani, kritikues i ashpër i Kievit dhe luftës kundër pushtimit rus, ka zgjedhur drejtim krejt tjetër në krahasim me partnerët e tij evropianë në qasjen ndaj Ukrainës, duke refuzuar që t’i japë armë Kievit dhe duke mos e lejuar as kalimin e tyre transit nëpër territorin hungarez si dhe duke kërkuar lehtësim të sanksioneve ndaj Rusisë./Nacionale