Hungaria i jep azil opozitarit polak Romanowski, reagon ashpër Polonia: Akt armiqësor - NACIONALE

Hungaria i jep azil opozitarit polak Romanowski, reagon ashpër Polonia: Akt armiqësor

1 vit më parë

nga NACIONALE

Hungaria i ka dhënë azil politik ish-zëvendësministrit të Drejtësisë të Polonisë, Marcin Romanowski, i cili në atdheun e tij është nën hetim rreth akuzave për keqpërdorim të fondeve publike. Vendimi i Budapestit ka nxitur reagim të ashpër nga Varshava.

Shefi i stafit të kryeministrit Viktor Orban të Hungarisë, Gergely Gulyas, duke e njoftuar vendimin të enjten vonë, e akuzoi Qeverinë e Polonisë për përndjekje të kundërshtarëve politikë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Polonia e quajti vendimin e Hungarisë “akt armiqësor” që bie ndesh me parimin e bashkëpunimit besnik brenda Bashkimit Evropian.

“Si kundërpërgjigje ndaj veprimit të tillë, ambasadori hungarez në Poloni do të thirret në Ministrisë e Punëve të Jashtme sot dhe do të pranojë një protestë formale” – tha të premten Ministria e Jashtme e Polonisë.

Kjo ministri shtoi se nëse Hungaria dështon që t’i përmbushë detyrimet e saj evropiane, Polonia do të kërkojë nga Komisioni Evropian që të nisë procedura kundër saj.

Qeveria e kryeministrit polak, Donald Tusk, thotë se ua ka hapur rrugën prokurorëve për të hetuar shkelje që mund të jenë bërë gjatë pushtetit të kaluar nga partia nacionaliste PiS, e cila ra në opozitë vitin e kaluar, e të cilat mund të jenë fshehur.

Orbani ishte aleat i qeverisë së kaluar nacionaliste polake. Të dyja vendeve u ishin ngrirë fondet e BE-së për shkak të shqetësimeve rreth sundimit të ligjit.

“Askush nuk dyshon në këtë rast që ata që vodhën, ata që janë të korruptuar, kërkojnë strehim në shtete dhe nën krahët e politikanëve që janë shumë të ngjashëm edhe vetë” – tha kryeministri polak.

Hungarezi Gulyas tha se vendimi i vendit të tij është në përputhje edhe me ligjet e Hungarisë, edhe me ato të Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme