Hungaria i anulon bisedimet me Ukrainën për të drejtat e pakicave - NACIONALE

Hungaria i anulon bisedimet me Ukrainën për të drejtat e pakicave

1 vit më parë

nga NACIONALE

Hungaria ka anuluar një takim të ekspertëve me Ukrainën për të drejtat e pakicave, i cili pritej të mbahej të hënën, duke përmendur një përplasje në të cilën të dyja vendet dëbuan diplomatë të njëra-tjetrës dhe e akuzuan njëra-tjetrën për përfshirje në spiunim.

Në një deklaratë të publikuar të dielën vonë, sekretari i Ministrisë së Jashtme të Hungarisë, Levente Magyar, tha se vendi i tij e kishte anuluar takimin e planifikuar në Ukrainë për shkak se zhvillimet e fundit në marrëdhëniet dypalëshe nuk lejojnë “bisedime konstruktive në një çështje kaq të rëndësishme dhe të ndjeshme si të drejtat e pakicave”.

Zyrtari hungarez, megjithatë, shtoi se Hungaria mbetet e hapur për dialog, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Të premten, shërbimi ukrainas i sigurisë, SBU, tha se kishte ndaluar dy agjentë të dyshimtë, për të cilët tha se po drejtoheshin nga inteligjenca ushtarake hungareze.

Hungaria është anëtare e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s, të cilat e përkrahin fuqishëm Ukrainën në luftën e saj kundër forcave pushtuese ruse, por kryeministri hungarez, Viktor Orban, është skeptik për mbështetjen ushtarake perëndimore për Kievin dhe mban marrëdhënie miqësore me Rusinë.

Qeveria djathtiste e Orbanit për një kohë të gjatë e ka akuzuar Ukrainën për shkelje të të drejtave të rreth 150 mijë hungarezëve etnikë që jetojnë kryesisht në rajonin perëndimor ukrainas, Transcarpathia, por përplasja për spiunazhin shënon një pikë të re të ulët në marrëdhëniet dypalëshe.

SBU-ja e Ukrainës tha se dy agjentët e dyshuar janë ish-pjesëtarë të ushtrisë ukrainase dhe janë ndaluar nën dyshimin për kryerje të tradhtisë shtetërore.

Si masë hakmarrëse, ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, tha të premten se vendi i tij ka dëbuar dy persona për të cilët tha se po punonin si spiunë në ambasadën e Ukrainës në Budapest.

Sipas kryediplomatit hungarez, arrestimi i dy individëve nga Kievi është nxitur nga kundërshtimi që Hungria po ia bën ofrimit të ndihmës ushtarake për Ukrainën./Nacionale

Lajme të ngjashme