Hungaria e Sllovakia mbeten kundër dërgimit të armëve në Ukrainë
Katër shtete të Evropës Qendrore, të cilat njihen edhe si vendet e Vishegradit, mbeten thellësisht të përçara për mënyrën se si duhet të zgjidhet lufta e Rusisë kundër Ukrainës, thanë të enjten kryediplomatët e tyre.
Ministrat e jashtëm nga Republika Çeke, Polonia, Hungaria e Sllovakia u takuan të enjten dhe diskutuan një plan çek për të siguruar municion për të cilin Ukraina ka shumë nevojë nga vende të treta jashtë Bashkimit Evropian, raporton agjencia “Associated Press”.
“Është e nevojshme që të fuqizohet përkrahja për Ukrainën në të gjitha fushat, përfshirë asistencën ushtarake” – tha kryediplomati çek, Jan Lipavsky.
Sipas këtij plani, Çekia synon që të sigurojë 800 mijë predha artilerie për Ukrainën. Udhëheqësit çekë më parë kanë thënë se predhat do t’i dorëzoheshin Ukrainës jo më vonë se në qershor.
Të paktën 18 shtete i janë bashkuar nismës, sipas deklaratave të mëhershme të udhëheqësve çekë.
Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radek Sikorski, e quajti “ide të shkëlqyeshme” planin çek.
“Ne jemi shumë të kënaqur që të kontribuojmë” – tha ai, duke shtuar se Polonia do të kontribuonte me fonde si dhe do ta ndihmonte dërgimin e municionit në front.
Sidoqoftë, ministrat e nga Hungaria dhe Sllovakia thanë se ata nuk janë të gatshëm për ta ndryshuar refuzimin e prerë për të dërguar armë në Ukrainë.
“Hungaria nuk ka dërguar dhe nuk do të dërgojë asnjë armë në Ukrainë” – tha kryediplomati hungarez, Peter Szijjarto.
Ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Juraj Blanar, tha se pikëpamja e vendit të tij nuk ka ndryshuar, sepse “konflikti nuk ka zgjidhje ushtarake”.