“Human Rights Watch” thotë se Izraeli ka përdorur fosfor të bardhë në Gaza e Liban
Organizata e njohur për të drejtat e njeriut, “Human Rights Watch”, e ka akuzuar Izraelin për përdorim të municionit me fosfor të bardhë gjatë operacioneve ushtarake në Gaza e Liban, duke thënë se përdorimi i këtyre armëve i vë civilët në rrezik nga lëndimet serioze e afatgjate.
Kur u pyet për t’i komentuar këto akuza, ushtria izraelite tha se “tani për tani nuk ishte e vetëdijshme për përdorimin e armëve që përmbajnë fosfor të bardhë në Gaza”. Ushtria nuk i komentoi akuzat e kësaj organizate për përdorimin e fosforit të bardhë në Liban, raporton agjencia “Reuters”.
Organizata HRW tha se i kishte vërtetuar videon e incizuara në Liban më 10 tetor në Liban dhe më 11 tetor në Gaza ku shfaqen “shumë shpërthime në ajër të fosforit të bardhë të hedhur nga artileria mbi portin e qytetit Gaza dhe në dy zona rurale përgjatë kufirit Izrael – Liban”.
Kjo organizatë ofroi linqe të dy videove të publikuara në rrjete sociale, për të cilat tha se “predha artilerie 155-milimetërshe me fosfor të bardhë po përdoren, mësa duket si perde tymi, për shënjime ose sinjalizime”. Sipas HRW-së, në të dyja videot shfaqen skena afër kufirit Izrael – Liban.
Organizata nuk ofroi linqe për videon që e tregojnë përdorimin e pretenduar të fosforit të bardhë në Gaza. Televizionet palestineze kanë transmetuar video ku shihen shtëllunga të holla të tymit të bardhë në qiell mbi Gaza për të cilat kanë thënë se janë shkaktuar nga municione të tilla.
Agjencia “Reuters” nuk ka mundur t’i vërtetojë në mënyrë të pavarur pretendimet e HRË-së.
Municioni me fosfor të bardhë mund të përdoret ligjërisht në fushën e betejës për të bërë perde tymi, për të shkaktuar ndriçim, për t’i shënjestruar caqet ose për të djegur bunkerë e ndërtesa.
Për shkak të përdorimit të ligjshëm, fosfori i bardhë nuk është i ndaluar si armë kimike me konventa ndërkombëtare, por ai mund të shkaktojë djegie serioze e të ndezë zjarre.