“Human Rights Watch” e akuzon Kinën për mbyllje e shkatërrim të xhamive - NACIONALE

“Human Rights Watch” e akuzon Kinën për mbyllje e shkatërrim të xhamive

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Organizata e njohur ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, “Human Rights Watch” (HRW), në një raport të ri pretendon se Kina është duke mbyllur, shkatërruar e tjetërsuar xhami.

Sipas kësaj organizate, shtypja ndaj këtyre objekteve fetare është pjesë e një “përpjekjeje sistematike” për ta frenuar praktikimin e Islamit në Kinë, raporton televizioni BBC.

Rreth 20 milionë myslimanë jetojnë në Kinë, shtet zyrtarisht ateist, por që thotë se e lejon lirinë fetare.

Megjithatë, vëzhguesit thonë se është shtuar shtypja ndaj feve të organizuara viteve të fundit dhe se Pekini po synon kontroll më të madh.

Televizioni BBC i ka kontaktuar Ministrinë e Jashtme të Kinës dhe Komisionin për Çështje Etnike për të komentuar para publikimit të raportit të HRW-së.

“Mbyllja, shkatërrimi dhe ridestinimi i xhamive nga qeveria kineze është pjesë e një përpjekjeje sistematike për ta frenuar zbatimin e Islamit në Kinë”- tha Maya Wang, drejtoreshë në detyrë e HRW-së në Kinë.

Ky raport erdhi pas shtimit të dëshmive për abuzime sistematike të të drejtave të njeriut ndaj myslimanëve ujgurë në rajonin veriperëndimor të Kinës, Xinjiang. Pekini i ka mohuar akuzat për abuzime.

Në fshatin me shumicë myslimane, Liaoqiao, në rajonin autonom të Ningxia-s, tri prej gjashtë xhamive u janë hequr kubetë dhe minaret, sipas organizatës “Human Rights Watch”. Të tjerave u janë shkatërruar sallat kryesore të lutjeve, shtoi HRW-ja.

pamje satelitore të siguruara nga kjo organizatë shihet një kube e një xhamie në fshatin Liaoqiao duke u zëvendësuar me një pagodë të stilit kinez dikur brenda periudhës tetor 2018 – janar 2020.

Rreth 1.300 xhami në Ningxia janë mbyllur ose janë tjetërsuar nga viti 2020, i tha televizionit BBC Hannah Theaker, hulumtuese e myslimanëve kinezë. Kjo shifër e përbën një të tretën e tërë xhamive në rajon.

Nën pushtetin e presidentit Xi Jinping, Partia Komuniste është përpjekur që ta rreshtojë fenë me ideologjinë politike të saj dhe me kulturën kineze.

Lajme të ngjashme