HRW: Hamasi dhe grupe të tjera kryen krime lufte më 7 tetor në Izrael - NACIONALE

HRW: Hamasi dhe grupe të tjera kryen krime lufte më 7 tetor në Izrael

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Hamasi dhe të paktën katër grupe të tjera të armatosura palestineze kryen shumë krime lufte e krime kundër njerëzimit gjatë sulmit të 7 tetorit në jug të Izraelit, sipas organizatës për të drejtat e njeriut, “Human Rights Watch” (HRW).

Në një raport të ri të HRW-së akuzohen qindra të armatosur që e kishin kaluar rrethojën kufitare të Gazës për shkelje si sulmet e qëllimshme dhe pa dallim ndaj civilëve, vrasja e vullnetshme e personave në ndalim, dhuna seksuale dhe me bazë gjinore, marrja e pengjeve, gjymtimi i trupave dhe plaçkitja, raporton televizioni BBC.

Më tutje, kjo organizatë arriti në përfundimin se vrasja e civilëve dhe marrja e pengjeve ishin “qëllime qendrore të sulmit të planifikuar” e jo “mendim i mëpasshëm”.

Hamasi i hodhi poshtë me zemërim ato që i quajti “gënjeshtra” të HRW-së dhe kërkoi që organizata t’i kërkonte falje.

Rreth 1.200 izraelitë dhe të huaj – shumica civilë- u vranë e 251 të tjerë u morën peng, kur disa komunitete e qyteza izraelite, si dhe një numër i bazave ushtarake, dy festivale muzikore dhe një ndej në plazh ishin sulmuar para nëntë muajve.

Izraeli u kundërpërgjigj përmes nisjes së një fushate ushtarake në Gaza me qëllim të shkatërrimit të Hamasit dhe lirimit të pengjeve.

Më shumë se 38 mijë e 790 njerëz janë vrarë në Gaza nga ajo kohë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, që menaxhohet nga Hamasi. Në shifrat e kësaj ministrie nuk bëhet dallimi mes civilëve dhe luftëtarëve.

Raporti i publikuar nga HRW-ja të mërkurën është i mbështetur në intervista me 144 persona, përfshirë dëshmitarë të sulmit të 7 tetorit, si dhe në analizën e më shumë se 280 fotografive e videove të publikuara në rrjete sociale ose të ndara me hulumtuesit e grupit.

Lajme të ngjashme