Houthit premtojnë kundërpërgjigje ndaj sulmeve të reja të ShBA-së e Britanisë - NACIONALE

Houthit premtojnë kundërpërgjigje ndaj sulmeve të reja të ShBA-së e Britanisë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Grupi i rebelëve Houthi në Jemen ka premtuar kundërpërgjigje ndaj valës së re të sulmeve nga forcat amerikane e britanike.

Mohammad Ali Al-Houthi, anëtar i komitetit suprem revolucionar të këtij grupi, në rrjetin X shkroi: “Besoni mirë se secili operacion dhe secili agresion kundër vendit tonë nuk do të kalojë pa një përgjigje.”

Një zyrtar i lartë politik dhe zëdhënës i rebelëve, Mohammed Al-Bukhaiti, gjithashtu shkroi më herët, duke thënë: “Agresioni amerikano-britanik vetëm do ta shtojë vendosmërinë e popullit jemenas për t’i kryer përgjegjësitë e veta morale e humanitare ndaj të shtypurve në Gaza”, raporton gazeta “The Guardian”.

Al-Bukhaiti shtoi: “Lufta sot është mes Jemenit, që po përpiqet t’i ndalë krimet e gjenocidit, dhe koalicionit amerikano-britanik, për t’i përkrahur e mbrojtur autorët e tij.”

Forcat amerikane e britanike kryen një valë të re sulmesh të hënën në Jemen, duke vënë në shënjestër një depo nëntokësore si dhe kapacitete raketore e vëzhguese që përdoren nga ky grup kundër anijeve që lundrojnë nëpër Detin e Kuq, tha Pentagoni.

Grupi Houthi thotë se sulmet e tij ndaj anijeve kanë për qëllim që t’i japin fund ofensivës tokësore e ajrore izraelite në Rripin e Gazës.

Lajme të ngjashme