Houthi-t pretendojnë se kryen dy sulme ndaj aeroplanmbajtëses amerikane “USS Harry Truman”
Rebelët Houthi, të cilët përkrahen nga Irani, të hënën pretenduan se e kanë sulmuar dy herë aeroplanmbajtësen amerikane “USS Harry Truman” brenda 24 orëve, duke e cilësuar këtë veprim si hakmarrje ndaj sulmeve ajrore vdekjeprurëse të forcave amerikane në Jemen.
Rebelët fillimisht thanë se hodhën 18 raketa e një dron drejt “aeroplanmbajtëses USS Harry Truman dhe luftanijeve shoqëruese të saj” në Detin e Kuq, para se të pretendonin disa orë më pas për një sulm tjetër, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Nuk pati koment të menjëhershëm nga Shtetet e Bashkuara për sulmet e pretenduara të rebelëve Houthi.
Sipas një zyrtari amerikan që foli në kushte anonimiteti, rebelët Houthi hodhën të paktën një raketë në sulmin e parë të pretenduar. Ky zyrtar tha se, duke filluar rreth mesnatës mes së shtunës e të dielës sipas kohës lokale në Jemen, rebelët hodhën 11 dronë dhe të paktën një raketë përgjatë rreth 12 orëve.
Më pas, dronët u penguan nga aeroplanët luftarakë të forcave ajrore amerikane dhe një tjetër u pengua nga një aeroplan luftarak F/A-18 i forcave detare. Raketa ra në ujë larg nga anija dhe asnjë objekt nuk ishte afër që të godiste aeroplanmbajtësen apo anijet luftarake të tjera të grupit sulmues.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetin “Telegram” të hënën, një zëdhënës i rebelëve Houthi tha se sulmet ndaj grupit të luftanijeve ishin “hakmarrje ndaj agresionit të vazhdueshëm amerikan kundër vendit tonë”.
Shtetet e Bashkuara janë zotuar se do t’i vazhdojnë sulmet ndaj Jemenit derisa rebelët t’i ndërpresin sulmet ndaj anijeve në Detin e Kuq. Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar se do të përdorë “forcë vdekjeprurëse dërrmuese”./Nacionale