“Hitleri i Amerikës; helmues”: Çfarë kishte thënë kandidati i Trumpit për nënpresident për të? - NACIONALE

“Hitleri i Amerikës; helmues”: Çfarë kishte thënë kandidati i Trumpit për nënpresident për të?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, të hënën e zgjodhi senatorin J.D. Vance si kandidat për nënpresident të ShBA-së. Vance tani është përkrahës i palëkundur i Trumpit, por nuk ishte gjithmonë kështu. Ja çfarë kishte thënë ai më parë për ish-kreun e Shtëpisë së Bardhë.

“Trap cinik” ose “Hitleri i Amerikës”

Në shkurt të vitit 2016, Vance i kishte dërguar një mesazh ish-cimerit të tij në studimet për drejtësi, Josh McLaurin, të cilin ky i fundit e ka paraqitur publikisht. Në të, Vance thoshte se “po endej poshtë e lart mes të menduarit se Trumpi është një trap cinik si Niksoni, që nuk do të ishte aq i keq (dhe madje mund të tregohet i dobishëm) ose që ai është Hitleri i Amerikës” – sipas një “screenshot”-i që McLaurin-i e kishte publikuar në rrjete sociale më 2022, kur Vance po garonte për një ulëse në Senat në Ohio, raporton gazeta “The Washington Post”.

“Kurrë nuk do të mund të ëndërroja gjatë atyre shkëmbimeve më 2016 se ai [Vance] do të mund të përfundonte si njëri nga përforcuesit e Trumpizmit vetëm pak vjet më vonë” – tha McLaurin-i, i cili tani është senator shtetëror demokrat në Georgia.

“Trumpi është heroinë kulturore.”

Në një shkrim të publikuar në korrik të vitit 2016 në revistën “Atlantic”, Vance e kishte krahasuar Trumpin me “heroinën [drogë] kulturore”, një “lehtësues dhimbjesh i ri” që premtonte zgjidhje të lehta për problemet sociale që po shtoheshin nën komunitetet në vështirësi, por që përfundimisht “nuk mund t’i rregullonte ato që i shqetësojnë ata”. “Për çdo problem kompleks, ai premton një zgjidhje të lehtë” – kishte shkruar Vance.

“Trumpi është heroinë kulturore. Ai i bën disa që të ndihen më mirë për pak kohë, por ai nuk mund t’i rregullojë ato që i shqetësojnë ata, dhe një ditë do ta kuptojnë këtë” – shtonte ai.

“S’ma duron lukthi Trumpin.”

Në një intervistë në gusht të vitit 2016, Vance kishte thënë: “Mund të detyrohem që ta mbaj hundën dhe ta votoj Hillary Clinton-in”, nëse do të mendonte se Trumpi kishte gjasë shumë të mirë për të fituar.

“Por mendoj se do të votoj parti të tretë, sepse nuk ma duron lukthi Trumpin. Mendoj se ai është helmues dhe po e çon klasën e bardhë punëtore në një vend shumë të errët. Dhe përfundimisht thjesht nuk i ndaj politikat e Hillary Clintonit” – kishte shtuar ai.

“Unë jam djalosh “kurrë Trumpi”. Kurrë s’më ka pëlqyer” – kishte thënë Vance disa javë para se Trumpi të zgjidhej president.

Lajme të ngjashme