Historia brutale e ushtrisë ruse nën qeverisjen e Putinit
Fotografitë groteske të dala nga periferitë e Kievit, janë disa nga provat më të forta deri më tani të krimeve të dukshme të luftës nga forcat ruse në Ukrainë: Civilë të vdekur në rrugë, disa me duar të lidhura dhe të pushkatuar në stilin e ekzekutimit.
Për këdo që ka ndjekur rrugën e luftrave të presidentit rus Vladimir Putin, ky model dëshpërues në fakt është i njohur. Ushtria ruse ka një kulturë brutaliteti dhe përbuzjeje për ligjet e konfliktit të armatosur, e kjo gjë është dokumentuar gjerësisht edhe në të kaluarën.
“Historia e ndërhyrjeve ushtarake të Rusisë - qoftë në Ukrainë apo Siri, apo fushata e saj ushtarake në Çeçeni, është e njollosur me shpërfillje të hapur ndaj ligjit ndërkombëtar humanitar”, tha Agnès Callamard, Sekretarja e Përgjithshme e Amnesty International.
"Ushtria ruse në mënyrë të përsëritur ka shkelur ligjet e luftës duke dështuar në mbrojtjen e civilëve dhe madje duke i sulmuar ata drejtpërdrejt. Forcat ruse kanë nisur sulme pa dallim, kanë përdorur armë të ndaluara dhe ndonjëherë me sa duket kanë shënjestruar qëllimisht civilë dhe objekte civile - një krim lufte."
Kjo deklaratë, e bërë më pak se një muaj përpara pushtimit rus të Ukrainës, fatkeqësisht është dëshmuar të jetë profetike. Në javët e para të luftës, komuniteti ndërkombëtar reagoi me tmerr ndërsa qytetet ukrainase u vunë nën bombardimet e pamëshirshme ruse. Infrastruktura e mbrojtur civile u godit, ashtu siç dikur avionët rusë bombarduan shkollat dhe spitalet siriane.

Por skenat që shpalosen në vende si Bucha sugjerojnë një lloj dhune intime, diçka që sjellë në kujtesë luftën e Rusisë në Çeçeni.
Gjatë luftës së dytë çeçene - e cila përkoi me ngritjen e Putinit në pushtet, janë shfaqur gjithashtu akuza për abuzim të gjerë të të drejtave të njeriut nga trupat ruse. Për të përmendur vetëm një incident të njohur, në vitin 2000, hetuesit e Human Rights Watch dokumentuan ekzekutimin e të paktën 60 civilëve në dy periferi të Groznit, kryeqyteti i Çeçenisë.
Vendasit zbuluan varre masive në Çeçeni; Zyrtarët ndërkombëtarë bënë udhëtime faktmbledhëse në rajon dhe bënë deklarata shqetësuese në lidhje me raportet e abuzimeve dhe vrasjeve. Megjithatë, këto deklarata nuk e ndaluan ushtrinë ruse që të përparonte me fushatën e saj të pamëshirshme.
Dëshmi të ngjashme të ekzekutimeve ka plot në qytete të tilla si Bucha. Një ekip i CNN ka vizituar bodrumin e një ndërtese dhe u bë dëshmitar i nxjerrjes së kufomave të pesë burrave ukrainas. Një këshilltar i ministrit të Brendshëm ukrainas, Anton Gerashchenko, i tha CNN se pesë burrat ishin torturuar dhe ekzekutuar nga ushtarë rusë.
CNN nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimet e Gerashchenkos, por po aq shqetësues është edhe vetë supozimi i një trajtimi të tillë të të burgosurve të luftës ukrainas nga forcat ruse.
Zyrtarët ukrainas, kanë thënë se forcat ruse kanë synuar gjithashtu kryetarët lokalë ukrainas për paraburgim - dhe ka të paktën një rast të vrasjeje pa gjyq.

Tmerret e pushtimit të Ukrainës nga Putini po dalin gjithnjë e më shumë në dritë
“Për momentin, 11 kryetarë nga rajonet e Kievit, Khersonit, Mykolaivit dhe Donetskut janë në robëri ruse”, tha zëvendëskryeministrja ukrainase Iryna Vereshchuk në një mesazh të postuar në mediat sociale të dielën. Ajo tha se qeveria ukrainase mësoi të shtunën se Olga Sukhenko, kryetarja e Motyzhyn, një fshat në rajonin e Kievit, u vra në paraburgimin e forcave ruse.
Shumë kohë përpara pushtimit të Ukrainës, ushtria ruse kishte një reputacion për kulturën e mizorisë. Rusia ka një sistem të fuqisë punëtore të kthyer në ushtarë me kontratë dhe rekrutëve. Megjithëse qeveria ruse pretendon se ka bërë hapa përpara në profesionalizimin e forcave të saj, ushtria e vendit ka ende një sistem brutal të njohur si “dedovshchina”, një traditë famëkeqe që inkurajon rekrutët e vjetër të rrahin, brutalizojnë apo edhe përdhunojnë rekrutët më të rinj.

Së fundmi, Putini ka njoftuar për një dekret për rekrutimin pranveror, duke përcaktuar një objektiv për 134,500 individë që do të thirren në forcat e armatosura ruse. Presidenti rus fillimisht pretendoi se rekrutët rusë nuk do të merrnin pjesë në atë që Rusia e ka quajtur në mënyrë eufemiste "operacioni ushtarak special" në Ukrainë. Por Ministria ruse e Mbrojtjes më pas pranoi se të rekrutuarit po luftonin në Ukrainë, ndërsa forcat ukrainase pretendojnë se kanë zënë robër një numër të konsiderueshëm prej tyre.
Edhe pse hetuesit ukrainas tashmë kanë nisur hetimet penale të krimeve të supozuara nga forcat ruse - veçanërisht rreth Kievit dhe qytetit verior të Chernihiv - do të kalojnë ditë, ose ndoshta javë, përpara se të ketë një pamje më të plotë të asaj që ndodhi në Bucha.
Por, nëse e kaluara shihet si një udhërrëfyes, ka shumë pak shpresë se autorët rusë do të sillen para drejtësisë.