Histori prekëse: Australia ia lejon urgjentisht 62-vjeçares nxjerrjen e farës nga kufoma e burrit - NACIONALE

Histori prekëse: Australia ia lejon urgjentisht 62-vjeçares nxjerrjen e farës nga kufoma e burrit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një gruaje 62-vjeçare i është dhënë leje nga Gjykata Supreme e Australisë Perëndimore që ta nxjerrë farën nga bashkëshorti i saj i vdekur për përdorim të mundshëm në fekondim artificial.

Kjo grua kishte paraqitur kërkesë urgjente në gjykatë pas vdekjes së bashkëshortit 61-vjeçar në fund të vitit të kaluar, raporton gazeta “The Guardian”.

Trupi i burrit ishte dërguar në spitalin “Sir Charles Gairdner”, por në gjykatë ishte thënë se gruaja detyrohej që të paraqiste kërkesë për një urdhër, pasi spitali nuk kishte vënë shpejt në dispozicion “një zyrtar të caktuar” për ta trajtuar kërkesën e saj për nxjerrjen e farës nga trupi i bashkëshortit dhe ruajtjen e saj gjatë kohës sa ishte ende e përdorshme.

Duke e trajtuar kërkesën të nesërmen, në gjykatë ishte thënë se çifti – emrat e të cilit nuk mund të publikohen për arsye ligjore – kishte dy fëmijë, por të dy kishin vdekur në dy aksidente të ndryshme.

Që nga vdekja e fëmijëve të tyre, burrë e grua kishin biseduar për të pasur një tjetër fëmijë, por një ekspert i fertilitetit i kishte thënë zonjës se ajo nuk mund të lindte fëmijë për shkak të moshës së saj.

Në anën tjetër, përmes testimit ishte vërtetuar se fara e burrit mbetej e përdorshme.

Në Gjykatë ishte thënë se një kushërirë 20-vjeçare ishte paraqitur vullnetare për të qenë nënë surrogate për çiftin përmes procedurës së fekondimit artificial, por ajo jetonte jashtë vendit dhe gruaja kishte thënë se ajo besonte që çiftit do t’i kërkohej ligjërisht që të jetonte në atë shtet për një periudhë para se t’i jepej leja për këtë procedurë.

Angazhimet në punë, pandemia dhe vdekja e vjehrrës së kësaj gruaje kishin ndikuar që çifti ta humbte mundësinë për t’u vendosur në shtetin tjetër.

Gjykatësja e rastit, Fiona Seaward, i lejoi gruas që ta nxirrte farën nga kufoma e bashkëshortit, por jo ta përdorë atë, sepse për këtë nevojitet urdhër i ri nga gjykata.

Australia Perëndimore nuk e lejon fertilizimin me material fekondues nga trupat pas vdekjes. Për ta bërë hapin e ardhshëm e për ta përdorur farën e bashkëshortit që nuk jeton më, gruaja tani duhet të bëjë kërkesë që lëndën ta transferojë në një zonë me juridiksion tjetër që procedura t’i lejohet.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme