Hezbollahu vret pesë persona në veri të Izraelit - NACIONALE

Hezbollahu vret pesë persona në veri të Izraelit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një sulm i Hezbollahut në komunitetin verior izraelit, Metula, la të vrarë pesë njerëz, përfshirë një bujk izraelit dhe katër punëtorë të huaj, raportoi të enjten televizioni izraelit, “Channel 12”.

Sulmi erdhi para takimeve të pritshme në Izrael mes zyrtarëve të lartë dhe emisarëve amerikanë të angazhuar në një shtytje të re për armëpushim edhe në Liban, ku forca izraelite po luftojnë kundër Hezbollahut të përkrahur nga Irani, edhe në Gaza, ku ato po luftojnë kundër militantëve palestinezë të Hamasit, raporton agjencia “Reuters”.

Izraeli u lëshoi paralajmërim për evakuim banorëve të qytetit Baalbek, në lindje të Libanit, për ditën e dytë rresht. Të mërkurën, forcat izraelite kryen sulme të rënda ajrore që e kishin në shënjestër Hezbollahun në qytetin e famshëm për tempujt e periudhës romake.

Hezbollahu tha se kishte nisur disa sulme me raketa e artileri kundër forcave izraelite afër qytezës jugore, Kiyam, të enjten. Kjo është dita e katërt rresht e luftimeve në atë qytezë dhe përreth saj, vendbanim i njërit prej komuniteteve më të mëdha shiite në jug të Libanit.

Hezbollahu synon që forcat izraelite t’i mbajë jashtë qytezës për t’ua pamundësuar kryerjen e shpërthimeve në shtëpi dhe ndërtesa të tjera, siç ka ndodhur në shkallë të lartë në qyteza të tjera kufitare, i tha agjencisë “Reuters” një burim i afërt me qëndrimet e grupit.

Grupi libanez thotë se luftëtarët e tij ia kanë parandaluar Izraelit pushtimin ose kontrollin e plotë të cilitdo fshat jugor, ndërsa Izraeli thotë se është duke kryer operacione të kufizuara tokësore që për qëllim e kanë shkatërrimin e infrastrukturës së grupit.

Shtëpia e Bardhë tha të mërkurën se zyrtari i sigurisë, Brett McGurk, do ta vizitonte Izraelin të enjten bashkë me emisarin amerikan për Lindjen e Mesme, Amos Hochstein, i cili është përpjekur që të ndërmjetësojë një armëpushim mes Izraelit e Hezbollahut./Nacionale

Lajme të ngjashme